“Trekëndëshi ka një hall”, PD-Metës: Sot vërtetove aleancën me Berishën për të shkatërruar selinë

schedule16:40 - 14 Janar, 2022

schedule 16:40 - 14 Janar, 2022

PD i përgjigjet deklaratave të presidentit Ilir Meta, i cili tha se nuk ka pasur njerëz të tij në oborrin e PD-së gjatë protestës së 8 janarit siç është akuzuar, madje sipas tij ai ka kërkuar nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha që të mos ushtrojnë dhunë, e për ta demonstruar publikoi disa mesazhe që kishte shkëmbyer me deputetin Belind Këlliçi.

Për Partinë Demokratike qëndrimi i sotëm i Metës, nuk fshehu aleancën me Berishën sipas saj për të shkatërruar PD. Teksa akuzon Presidentin Meta se bashkë me Berishën ka pasur rol aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore, PD thekson se kjo aleancë bëhet për interesa personale. Selia blu ka përsëritur edhe njëherë kërkesën që Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike.

“Qëndrimi i sotëm i Ilir Metës, ku nuk fshehu aleancën me Sali Berishën kundër Partisë Demokratike dhe rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, është e vërteta tronditëse që po kuptojnë dita-ditës demokratët.

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike, vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku strehohen ata që kanë halle personale. Partia Demokratike ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.

Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë”, përmbyllet reagimi i PD.

Lexo edhe: Meta nxjerr fotot: Në 8 janar pati dhunë nga të dyja palët, Berisha duhej të kontrollonte turmën, Basha mbushi selinë me “këmishëzinj”

Ndonëse tha se nuk do të përfshihet në punët e brendshme të PD,  Presidenti në konferencën e tij për shtyp u përqendrua më së shumti tek protesta e 8 Janarit. Përgjegjës për dhunën bëri të dyja palët. Për Metën, konflikti është artificial dhe zgjidhja e vetme është që Basha të njohe institucionin e zgjedhjeve të lira brenda partisë si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën. Ndër të tjera sot Meta ka akuzuar se brenda selisë blu disa ditë para protestës ndodheshin persona të inkriminuar. Gjatë deklaratës për shtyp Meta ka publikuar disa foto që sipas tij vertetojnë dhunën e ushtruar nga jashtë godinës dhe brenda selisë. be.k/abcnews.al