Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim në ambientet e Bibliotekës Kombëtare ku ka arritur në përfundimin se ajo e ushtron aktivitetin e saj në kushte të vështira dhe jo të denja për një institucion të tillë. Në auditimin e KLSH thuhet se një nga problemet kryesore në të gjithë historikun e këtij institucioni është kriza e hapësirave që konsistojnë në mungesën ambienteve për ruajtjen dhe koleksionimin e librave, në mungesën e hapësirave për lexuesit apo në mungesën e hapësirave për personelin punonjës të BKSH-së.
Shqetësuese konsiderohet sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë amortizohet ndërtesa, duke sjellë një risk të lartë si në rënien e zjarrit ashtu edhe në përmbytjen e katit të parë. Për KLSH-në ajo që përbën problem serioz është sidomos mungesa e hapësirave dhe kushteve në të cilat ruhet sot fondi i vlerave të rralla duke theksuar se humbja e tij do të ishte katastrofë kombëtare. “Ajo që është shqetësuese është se edhe sot pas 6-vitesh nga auditimi i fundit situata vazhdon e njëjtë dhe më problematike pasi sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë amortizohet ndërtesa, duke sjellë një risk të lartë si në rënien e zjarrit ashtu edhe në përmbytjen e katit të parë, ku ruhet edhe fondi i vlerave të rralla, që për vetë rëndësinë që ai ka do të ishte “katastrofë kombëtare” humbja e tij”, thuhet në raport.
“Aktualisht, shërbimi bibliotekar dhe veçanërisht Biblioteka Kombëtare e ushtron aktivitetin e saj në kushte të vështira, jo të denja për një institucion të tillë, simbol të kulturës kombëtare. Një nga problemet kryesore dhe i pashmangshëm në gjithë historikun e këtij institucioni është kriza e hapësirave që konsistojnë si në mungesën ambienteve për ruajtjen dhe koleksionimin e librave, në mungesën e hapësirave për lexuesit, në mungesën e hapësirave për personelin punonjës të BKSH-së, në mungesën e kushteve në shërbim të përdoruesve me aftësi të kufizuar të cilat kanë sjellë në mos përmirësimin e performancës të BKSH për periudhën në auditim. Ajo që është shqetësuese është se edhe sot pas 6-vitesh nga auditimi i fundit situata vazhdon e njëjtë dhe më problematike pasi sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë amortizohet ndërtesa, duke sjellë një risk të lartë si në rënien e zjarrit ashtu edhe në përmbytjen e katit të parë, ku ruhet edhe fondi i vlerave të rralla, që për vetë rëndësinë që ai ka do të ishte “katastrofë kombëtare” humbja e tij.
Që prej vitit 1986 është ndjerë mungesa e hapësirës për të vendosur materialet bibliotekare në fond, çfarë ka detyruar që jashtë çdo standardi botëror të gjenden zgjidhje provizore të natyrave të ndryshme:
- Materialet bibliotekare nuk vendosen në rafte, por në dysheme;
- Fondi i vlerave të rralla (antikuar dhe dorëshkrime) vendoset pjesërisht në arka metalike jashtë çdo normative e standardi ndërkombëtar”, shkruhet mes të tjerash në raportin e KLSH.