Mbyllet hetimet, SPAK çon në gjykatë ish zv-ministren, Rovena Voda

schedule15:51 - 13 Janar, 2022

schedule 15:51 - 13 Janar, 2022

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë këtë të enjte ka bërë me dije se ka përfunduar hetimet në lidhje me ish zv- ministren e Brendshme Rovena Voda dhe e ka dërguar në gjykatë dosjen e saj.

SPAK përmes një njoftimi për mediat ka bërë me dije se Voda sëbashku me dy të pandëhurat e tjera Majlinda Hasani dhe Florida Beu akuzohen për ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

“Në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive.

E pandehura Rovena Voda është akuzuar se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021

Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ndërkohë kujtojmë se ish zyrtarja e lartë e Ministrisë së Brendshme akuzohet për ndikim të paligjshëm. Nga hetimet e SPAK, rezultoi se Voda kishte marrë një 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk për të punësuar Flordia Beun në ministri. Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv.ministren, duke shfrytëzuar edhe lidhjen shoqërore që ka pasur me të.

Si provë më të fortë, SPAK ka në duar përgjimet telefonike të tyre. Kjo aferë korruptive u zbulua gjatë hetimit për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi. Florinda Beu është motra e Emirjan Beut, i cili është arrestuar për rastin e korrupsionit të prokurorit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!