Ish-kryeministri Sali Berisha mohon që të ketë komanduar turmën për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike më 8 janar. Në një konferencë për mediat pasi doli nga Prokuroria e Tiranës ku dha dëshminë, Berisha u pyet nga gazetarët për pamjet që kanë fiksuar momentin teksa ish-kryeministri shihet që udhëheq me dorë.
Berisha thotë se në atë moment u ka kërkuar protestuesve që ishin në rrugë të futeshin në oborrin e PD-së, por jo të sulmonin.
“Çfarë bëja me dorë, i thoja të vinin të dalin nga rruga. Ishin në rrugë ata dhe duhet të bashkoheshin të vinin brenda. Pe ti që ata të kishin ndonjë tra në krah. Me shkallë po, por jo me tra. Ata po ftoheshin se ishin përtej rruge dhe nuk kishin pse rrinin atje”, u shpreh ai.
Lexo edhe: Berisha del nga prokuroria: Basha ishte i rrethuar në 8 janar nga një bandë vrasësish
Ish-kryeministri thotë me bindje se atë ditë brenda selisë kishte njerëz të armatosur.
“Askush nuk mund të më kundërshtonte mua për praninë e bandës brenda në seli. Askush nuk më kundërshton dot që falë jush me qindra filmime frengjitë e lëna për të sulmuar. U hodh së pari tymi, pastaj pluhuri që është toksik. U hodh bomba shurdhuese dhe pamja më simbolike e dy botëve është një idealist, me flamurin PD për ta vendosur në ballkon dhe një grup primitiv që i çajnë kokën. I patë ju këto skena, janë këto reale. Atu flitet çdo gjë me fakte”, deklaroi Berisha. g.v/abcnews.al