Portieri i Partizanit, Alban Hoxha këtë sezon ka humbur vendin e titullarit, për shkak të një dëmtimi në dorë që mori në fillim të sezonit, teksa i është dashur kohë të rikuperohet dhe të jetë gati për të qenë përsëri në fushë nga minuta e parë.
Në një prononcim për mediat, gardiani 34-vjeçar është shprehur se tani është gati për të marrë vendin e tij në katërkëndëshin e portës, teksa shoku i tij i skuadrës, Aldo Teqja është “rivali” i tij, për shkak edhe të paraqitjeve të treguara, ndaj të cilit portieri i kuq nuk ndihet xheloz.
Aldo Teqja? “Aldon e kam shok prej shumë vitesh dhe nuk jam xheloz. Më është bërë qejfi që ka bërë ndeshje shumë të mira, ka të dhëna goxha të mira. Do të jemi të dy aty dhe do të luajë ai për të cilin ka nevojë ekipi. Të mos harrojmë që kemi edhe një portier të tretë shumë të mirë.”
Merkatoja dhe objektivat: “Objektivat e Partizanit kanë ndryshuar, është ndryshuar stafi, kanë ardhur lojtarë të rinj, siç është Bitri, do të vijnë të tjerë. Objektivi i parë është pjesëmarrja më kupat e Evropës, por ka shumë javë, pse të mos mendojmë edhe për titullit. Nuk kemi bërë keq, por fati ka qenë kundër nesh. Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por na mungojnë pikët. Gjatë pjesës së mbetur të kampionatit, përveç lojës duhet të marrim edhe pikë. Duhet të mendojmë më shumë për pikët se sa për lojën e bukur”.
Sfida me Egnatian: “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, por, siç thotë një shprehje, “fillimi i mirë, gjysma e punës”. Po fituam, mund të marrë për mirë sezoni. Gjithmonë kam qenë optimist, kam besuar te kthesa dhe ndryshimi. Shoh optimizëm te çunat, besoj se do të ecim mirë.
Mehmeti? E njoh trajnerin, është korrekt dhe ka marrëdhënie të mirë. Mund të fusë harmoninë në grup. Ekipi ka qenë, por në disa raste kishim oshilacione dhe besoj se jemi përforcuar. Grupi është, pse të mos besojmë.” /f.a/abcnews.al