Sali Berisha dhe mbështetësit e tij që u paraqiten si anëtarë të Grupit të Rithemelimit nuk do të jenë më pjesë e Partisë Demokratike dhe Grupit Parlamentar të PD-së.
Ata u përjashtuan nga partia pas një mbledhjeje të kryesisë që zgjati 8 orë në selina e PD-së. Vendimi për përjashtimin e tyre si edhe zhveshjen e mbështetësve të tjerë të Berishës nga detyrat në parti ishte unanim, ndërkohë që gazetari Juxhin Mustafaraj ka zbardhur për abcnews.al diskutimet që u bënë gjatë mbledhjes së gjatë.
Gjatë fjalës së tij, Ervin Salianji i ka quajtur akte parapolitike ato që ndodhën në selinë e PD-së mesditën e 8 janarit duke theksuar se dhuna është kufiri tek i cili ndahet çdo përfaqësues i Partisë Demokratike.
“Ky diferencim duhet te jetë edhe për të mos perjashtuar në bllok, duhet të japim mundësinë e reflektimit dhe distancimit nga dhuna pjesëmarrësve që mund të jenë aty dhe jam i bindur që janë aty për shkak te zhgenjimit dhe dëshpërimit të mosfitores në 25 Prill!
Nxitja për dhune dhe perkrahja e dhunës duhet të jetë kriteri ndarës për përjashtimin ose bashkëjetesën, nëse ka kolegë që pranojnë rrezikimin e jetës dhe eleminimin fizik të drejtuesve të degëve, të Këshillit Kombëtar, deputetëve kjo është vijë ndarëse dhe këtu nuk i kemi përjashtuar në por ata”, tha ndër të tjera Salianji.
Salianji tha ndër të tjera se ishte kundër përforcimit të mbrojtes në godinë, pasi sipas tij nuk ishte marrja e godinës ajo që do të legjitimonte krahun e Berishës, por kontakti me demokratët.
“Gabimet e së shkuarës nuk duhet të përsëriten dhe PDSh duhet të jetë force që udhëheq dhe tërheq pjesën e shoqërisë që përditë e më shumë po zhgënjehet nga politika, ju duhet të bëni diferencën me gjithçka që keni bërë gabim në 8 vitet e bashkëdrejtimit të perceptuar.
Personalisht isha dhe jam për mosvendosjen as të hekurave, as të betejës për godinën. Nuk e marrin dot godinën dhe as marrin dot legjitimitet prej saj, sado rrotull të vijnë, ashtu siç hyjnë dalin sepse ligji është kufiri dhe jo sjellja tribale dhe as zaptimi”, vijoi ai.
Endri Hasa theksoi se mbështetësit e Berishës, erdhën për të vrarë ata të Bashës dhe s’mundej që të vijonin të uleshin në një tavolinë më.
“Pas 8 Janarit, s’mund të fshihemi pas gishtit. Ne nuk mund të jemi përbashkues me ata që të fusin shkopinj nën rrota. Ata kanë sot për qellim vetëm që të pengojnë agjendën tonë politikë kunder qeverise dhe rikthimin e PD ne pushtet. Pjesa me e madhe e anetareve te kryesise ishin deshmimtare okulare te asaj qe ndodhi ne 8 Janar. Ata erdhen për të na vrarë, dhe ne vazhdojme të diskutojmë për t’u ulur me të njëjten tryeze dhe për të ndareëvendimarrje te perbashket? Ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë këtu”, tha Hasa.
Ndërkohë, Kryetarja e Këshillit Kombëtar, Arta Sakja, teksa diskutonte mbi vendimin për përjashtimin e organizatorëve të sulmit të dhunshem, për të nenviziar se ishte një vendim i vonuar, u shpreh se mendonte se Sali Berisha ishte shkarkuar më herët.
“Akoma nuk e kemi shkarkuar ne këtë?!”, tha Sakja.
E prerë me çfarë ndodhi gjatë 8 janarit ka qenë edhe Greta Bardelli, e cila e cilesoi kriminale situatën e krijuar dhe u shpreh se 8 dhjetori ishte një vijë e kuqe qe u kalua nga Berisha e të tijët, të cilëve nuk ua falë.
“Kriminelë kam për t’i quajtur nëse më dalin përpara”, tha Bardelli.
Kreshnik Çollaku tha se kush erdhi për gjak në PD duhet të përballet me pasojat.
“Në 8 janar ishte vetëm një turmë banditësh që erdhi për të dhunuar. Kush ka hyrë në oborr në krah të atyre që mbanin hunj dhe leva ka damkën e kriminelit, jo të demokratit. Vendimet sot duhet të jenë shumë të forta. As Edi Rama s’ka arritur të shkojë deri këtu. Kush erdhi për gjak, nuk mund të ketë vend në këtë parti, sot dhe kurrë”, tha ai. /abcnews.al