Papa Françesku: Vaksina nuk është mjet magjik, por detyrim moral për t’u bërë

schedule23:47 - 10 Janar, 2022

schedule 23:47 - 10 Janar, 2022

Papa Françesku tha të hënën se vaksinimi ndaj COVID-19ës është një detyrim moral, pjesë e përpjekjeve për t’u kujdesur për shëndetin tonë dhe të të tjerëve. Papa bëri thirrje për përpjekje ndërkombëtare për të vaksinuar popullsinë e botës.

Në një fjalim drejtuar diplomatëve të akredituar pranë Vatikanit, Papa tha se pandemia COVID-19 vazhdon të shkaktojë izolim social dhe të marrë jetë, por vuri në dukje se vaksinimi i efektshëm ka ulur rrezikun nga sëmundja. Ai tha se është e rëndësishme të vaksinohet popullsia sa më shumë të jetë e mundur, duke bërë thirrje për një angazhim në nivel personal, politik dhe ndërkombëtar.

Papa tha se secili ka përgjegjësinë të kujdeset për shëndetin e tij dhe të të tjerëve pranë tij.

“Kjo përkthehet në respekt për shëndetin e atyre që kemi përreth. Kujdesi për shëndetin është një detyrim moral”, tha ai të hënën.

Megjithatë, Papa Françesku tha se ai e kupton ekzistencën e ndasive ideologjike që ekzistojnë sot në botë, të nxitura nga informacione të pabaza dhe fakte të pambështetura në dokumenta. Ai tha se deklarata të tilla ideologjike shkëpusin logjikën njerëzore nga realiteti objektiv i gjërave.

“Vaksinat nuk janë një mjet magjik shërimi, e megjithatë ato përfaqësojnë, krahas ilaçeve të tjera që duhet të prodhohen, zgjidhjen më të logjikshme për parandalimin e sëmundjes”, tha ai.

Papa Françesku bëri thirrje për një angazhim gjithëpërfshirës nga komuniteti ndërkombëtar për t’u siguruar që “e gjithë popullsia e botës të ketë qasje të barabartë tek kujdesi thelbësor mjekësor dhe vaksinat”. Papa bëri thirrje që të gjitha vendet të bashkëpunojnë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të mbështetur qasjen universale tek mjetet e diagnostikimit, vaksinat dhe ilaçet./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!