Dhunës vandale të protestuesve të mbledhur nga ish-kryeministri Sali Berisha, nuk i ka shpëtuar as zyra e kryetarit të PD Lulzim Basha. Nga pamjet e siguruara nga abcnews.al shihen dritaret dhe dera e thyer nga sulmet me gurë.
Mbështetësit e ish-Kryeministrit Sali Berisha kanë hyrë brenda selisë së Partisë Demokratike para orës 12:00 kur ishte planifikuar të nisë protesta. Ata kanë rrëzuar dyert e mbyllura të godinës së Partisë Demokratike.
Protestuesit janë ngjitur përmes një shkalle në katin e dytë të godinës së Partisë Demokratike, aty ku ndodhej kryedemokrati Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të PD.
Por nga kati i dytë ka pasur goditje me sende të forta ndaj tyre. Megjithëse nuk janë lejuar të kalojnë në katin e dytë, mbështetësit e Berishës kanë hedhur sende të forta drejt zyrës së Lulzim Bashës duke shkaktuar jo pak dëme.
Pas 3 orësh “luftë” në selinë e PD, Berisha dhe mbështetësit janë tërhequr pas ndërhyrjes së policisë. Kjo e fundit është lajmëruar nga zyrtarë të PD kur dhuna po përshkallëzonte në nivele të larta vandalizmi.
Sali Berisha ka folur për herë të fundit për mediat në rrugicën përpara banesës së tij, duke njoftuar mbylljen e protestës për ditën e sotme. Ish-kryeministri u bëri thirrje protestuesve që të shpërndahen, ndërsa bëri me dije se protesta nuk do të mbarojë deri në arritjen e qëllimit. Ish-Kryeministri u shpreh se beteja e radhës do të njoftohet përsëri. Sot Berisha dhe mbështetësit “pushtuan” katin e parë të PD duke mos arritur në të dytin ku u tha se ishte Basha dhe disa deputetë të partisë. Pas dhunës barbare selia e Partisë Demokratike është rrethuar nga policia me shirin e verdhë skenë krimi. Pas largimit të protestuesve, godina e PD-së është marrë në dorëzim nga forcat e policisë. be.k/abcnews.al