Etilda Gjonaj, ka folur sërish lidhur me vendimin për uljen e dënimit të Dritan Dajtit. Gjonaj deklaroi se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e gjyqtarëve që kanë vendosur uljen e dënimit për Dajtin, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në 2009.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i kërkon institucionit të ri të Reformës në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndëshkimin e tre gjykatësve që dhanë vendimin nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie për Dritan Dajtin.
Etilda Gjonaj: “Si Ministre e Drejtësisë kam vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të renda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, nga ana e gjyqtarëve Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit Shkodër. Për këtë arsye, sot i jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit me kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor dhe marrjen e vendimit të shkarkimit nga detyra ndaj gjyqtarëve të sipërpërmendur si dhe kryerjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë dosje”.
Gjyqtarët, sipas Gjonaj, kanë pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar nga Dritan Dajti, jashtë afateve ligjore të depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Etilda Gjonaj: “Sipas rregullave procedurale në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesës (në bazë të nenit 403 i Kodit të Procedurës Penale), kërkesa e të pandehurit për gjykimin të shkurtuar depozitohet të paktën tre ditë përpara datës së seancës të përcaktuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Renda ka disponuar në kundërshtim me nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, në kushtet kur, kjo kërkesa është paraqitur pasi është deklaruar nga gjykata hapja e shqyrtimit gjyqësor në përputhje me parashikimet ligjore të procedurës penale”.
Ministrja e Drejtësisë pohoi se vendimi i gjyqtarëve të Apelit është në kundështim edhe vendimet unifikuese Gjykatës Kushteuese.
Etilda Gjonaj: “Vendimi gjithashtu është në kundërshtim të hapur dhe me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë (dhe përmend vendimin numër 2 të vitit 2003), ku sipas këtij vendimi Gjykimi i shkurtuar ka vlerë për ekonomi gjyqësore, sepse thjeshton dhe shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e gjykimit”.
Prokuroria e Apelit për Krimet e Rënda ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e vendimit ndaj Dajtit, i cili ishte dënuar nga Shkalla për Krimet e Rënda me 4 dënime të përjetshme. Ai akuzohet për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në verën e vitit 2009 në zonën e plazhit të Durrësit./abcnews.al