“Fshehu 60 mijë euro”, Murrizi për Abcnews.al: Ish-sigurimsat po më bëjnë presion

schedule15:46 - 5 Janar, 2022

schedule 15:46 - 5 Janar, 2022

Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar pasi u padit në prokurori nga policia. Kundër tij janë ngritur dy akuza; fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash.

Megjithatë, akuzat ndaj tij, Murrizi i ka cilësuar llumnajë të bërë nga njerëz të ish-sigurimit të shtetit që duan ta impresionojnë. Në një prononcim për gazetaren Gerta Vasku të abcnews.al Murrizi tha se nuk ka tagër Krimi Ekonomik ta hetojë, por vetëm SPAK, pasi bëhet fjalë për periudhën kur ai ishte deputet. Gjithashtu ish-deputeti mohon të jetë dënuar, teksa thotë se ka marrë pafajësinë në Gjykatën e Lartë.

“Unë tani e kam marrë vesh nga mediat. Nuk ka njeri që të më më imepresinon mua. I vetmi që duhet të hetojë është SPAK, nuk ka tagër krimi ekonomik. Me pasurinë time merret ILDKPI, aty ku e kam deklaruar. Paskan pas kohë dhe nge nga 10 shtatori 2021 kur kam lënë mandatin  që të jenë marrë me pasuritë legale të miat që në kohën që kam qenë deputet janë objekt i deklarimit të pasurisë në ILDKPKI. Këto janë llumnaja që i bëjnë njerëz të ish-sigurimit të shtetit. Nëse do të ishte kështu që unë e kam fshehur pasurinë atëherë do të kisha humbur mandatin.

Flasin edhe për një vendim, gazetarët e kanë shumë të thjeshtë ta gjejnë në faqen e Gjykatës së Lartë, është vendimi nr. 423. Aty është e qartë që unë kam marrë pafajësinë. Pra ka një vendim pafajësie. Ky është maskarallëk i një grupi fundërrinash që janë në Policinë e Shtetit.

Unë që nga viti 1990 deklaroj pasurinë time, nuk kam fshehur asnjë qindarkë. Paratë e kujt pastroj unë? Të ministrave të Ramës, të kunatit…”, deklaroi Murrizi.

Kujtojmë se sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit depozitoi sot në prokurori padinë kundër ish-deputetit demokrat.

Një burim pranë policisë së shtetit i tha “ABC”-së se është analizuar veprimtaria dhe transaksionet e firmës në pronësi të ish-deputetit “Murrizi 2009”, nga ku ka rezultuar se nuk i ka deklaruar në ILDKPKI në 2019, por i ka fshehur 60 mijë euro. g.v/abcnews.al