Partia Demokratike sot i mbylli derën një grupi të deputetëve të rreshtuar në krah të Sali Berishës që ngjitën shkallët dhe u drejtuan për të hyrë brenda për të dhënë një deklaratë për mediat.
Flamur Noka lëshoi akuza të forta në drejtim të Lulzim Bashës. Për t’u përgjigjur doli sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Ai tha se grupi i deputetëve erdhi për show dhe i cilësoi si “inspektorë” të punimeve. Mohoi që dyert dhe dritaret janë blinduar dhe premtoi se sapo të përfundojnë punimet mediat do të lejohet që të futet brenda.
“Ftoj cilindo që të rikthehet në misionin që u kanë caktuar demokratët, nuk ka nevojë për show. Një pjesë prej tyre kanë katër muaj që nuk vijnë në parlament. Deputetët kishin ardhur për të kontrolluar dyert, që janë të njëjtat thjeshtë janë veshur me adeziv” tha ai.
Por a ka frikë Bardhi se në protestën e 8 Janarit mund të ketë akte dhune? “Ne nuk do të kërkojmë mbrojtje nga policia. Kësaj godine edhe në të shkuarën i kanë dalë zot demokratët.
Asnjë person që nxit dhunë nuk do të arrijë dot qëllimin e tij. Është hera e parë që një politikan një problem shumë të madh të tij dhe familjes së tij kërkuan t’ua imponojë demokratëve. Demokratët e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Ne nuk do të qëndrojmë peng i askujt, strukturat e partisë janë funksionale. Secili prej funksionarëve duhet të ketë ambientet e tyre të punës, disa kanë filluar punë të re, inspektojnë dyert dhe dritaret.
Në datë 8 unë do të jem në seli. Cdo demokrat ka qenë dhe do të jetë i lejuar për të hyrë, trafikantët e drogës dhe anëtarët e grupit “B9” të shpallur non grata në mars dhe hetimit të nisur në qershor të 2013 nuk kanë për t’u lejuar të hyjnë më në selinë e PD-së” tha ai.
I pyetur nga gazetarët se cila është fatura e punimeve që po bëhen brenda selisë, Bardhi tha se “do të duhet të pyesni administratën e PD-së, unë jam sekretari, nuk merrem me bojë, llaç dhe tulla. Ju keni dy ditë që merreni. Interesohuni për të marrë informacion” përfundoi ai./ Abcnews.al