Kush është familja Tafili, jeta e tyre mes vrasjeve, hakmarrjes dhe arratisë

schedule13:24 - 4 Janar, 2022

schedule 13:24 - 4 Janar, 2022

Genc Tafili, i arrestuari sot në aeroportin e Frankfurit, i shpallur në kërkim për për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari, në Shkodër në vitin 2000, është një emër i njohur për drejtësinë.

Ai është vëllai i Admir Tafilit, i njohur në botën kriminale për sbhumë ngjarje të rënda. Genc Tafili me vëllanë, Admir Tafilin, u dënuan për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari. Genc Tafili kreu 17 vite burg, nga 25. Ngjarja, për të cilën ai u akuzua dhe dënua, ndodhi në vitin 2000, ku vrau me armë komisarin Zylyftari. Por si u vra Zylyftari?

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2000, ku u vra kreu i Policisë së Shkodrës, familja e Bahri Tafilit akuzoi ish-shefin e Krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushin, i cili kishte organizuar edhe operacionin për kapjen e të kërkuarit. Familja Tafili ka pretenduar se komisari Arben Zylyftari u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve.

Lexo edhe: I shpallur në kërkim për vrasjen e Arben Zylyftarit, arrestohet në Gjermani Genc Tafili

Tafili u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha në 7 nëntor të vitit 2017, pas 17 vitesh pas hekurave për vrasjen e Zylyftarit. Ai la qelinë kur i kishin mbetur edhe tetë vite pa kryer nga dënimi.  Pas lirimit ai u largua nga Shqipëria duke u larguar jashtë vendit. Por, në maj të 2021, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e gjyqtares Enkelejda Hoxhës duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Kjo e fundit tashmë ndodhet pas hekurave me urdhër të SPAK, me akuzën e përfshirjes në korrupsion për lirimin e të dënuarve pa përmbushur dënimin.

Kush është Admir Tafili, ngjarjet e bujshme dhe vrasja e babait

Admir Tafili është dënuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Kthesa e beftë që solli vrasje të bujshme, tentativa vrasje, plagosje të rëndë, arratisje nga burgu e shumë vepra tjera të rënda në vijimësi, nisën në ditën e nxehtë të 2 gushtit 2000. Bahri Tafiili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej se ishte autor i vrasjes së Gëzim Gecit, pas një konflikti për çështje pronësie.

Shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi, dhe disa efektivë të tjerë në mesditën e 2 gushtit 2000 po kryenin një kontroll rutinë, kur vunë re se Bahri Tafili u largua me vrap dhe u mbyll në banesë. Menjëherë nisën tentativat për ta arrestuar, por Tafili dhe djali i tij Genci qëlluan me armë drejt forcave të policisë. Në kushte të tilla, Pjetrushi kërkon përforcime dhe në krye të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë vihet Drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.

Lidhur me ngjarjen e 2000 ku u vra Bahri Tafili, Kimete Tafili, bashkëshortja e tij, është shprehur se i shoqi është vrarë nga Prelë Pjetrushi pasi u dorëzua i prangosur, dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë.

Admir tafili njihet edhe si kreu i grupit të ‘tritolit’ pasi teksa ndodhej në burg porositi vrasjen e Ibrahim Manit përmes Kristi Pinës, një bashkëpunëtor tashmë i drejtësisë. Në vitin 2010, Admir Tafili, mori leje nga burgu i Shën Kollit për të parë të ëmën e sëmurë dhe në këtë rast arratiset. Në mars të vitit 2011, vrau në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni të suksesshëm policie Tafili arrestohet në Tiranë.

Dy vite më pas, në vjeshtën e 2013-s, ndërsa ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Admir Tafili me Fran Marashin, Gëzim Gurin, Artur Goran, Gëzim Tomën, Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulan arratisen, por një ditë më vonë prangosen nga RENEA në Prrenjas. Tashmë ai ndodhet në burgun e Burrelit ku është ngritur në grevë bashkë me të dënuar të tjerë pasi kërkojnë takime me familjarët. be.k/abcnews.al