Pas disa javësh të shoqëruara nga fjalë dhe sjellje kërcënuese, nuk ka më shumë dyshime se Vladimir Putin është i përfshirë në një shantazh të madh. Pas grumbullimit të forcave ruse pranë Ukrainës, Kremlini ka lëshuar një ultimatum:vendet perëndimore duhet të bien dakord me atë që është de fakto një rishkrim i rendit të sigurisë evropiane të pas Luftës së Ftohtë, por sipas kushteve të tij.
Në fakt, presidenti rus po negocion duke i vendosur një armë në kokë fqinjëve të tij. Ndaj ai duhet të frenohet nga ndërmarrja e veprimeve ushtarake konkrete. Pavarësisht nëse do ta arrijnë, apo si do ta arrijë këtë presidenti amerikan Joe Biden dhe aleatët evropianë, e sigurt është se kjo çështje të ketë pasoja të mëdha mbi sigurinë evropiane dhe në marrëdhëniet me fuqi të tilla si Kina.
Moska ka propozuar nënshkrimin e disa traktateve me SHBA-në dhe NATO-n, të cilat shkojnë përtej kërkesave të mëparshme për garanci, sipas të cilave aleanca ushtarake nuk do të zgjerohej për të përfshirë në gjirin e saj edhe Ukrainën.
Sipas planeve të Rusisë, këtej e tutje NATO duhet të marrë në çdo rast pëlqimin e Moskës, për vendosjen e trupave në vendet ish-komuniste që iu bashkuan aleancës pas majit të vitit 1997, gjë që mund të nënkuptojë ndryshimin e dislokimeve ushtarake aktuale.
NATO do të përballet me kufizime sa i përket vendosjes së raketave, stërvitjeve dhe aktivitetin në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kremlini e di me siguri se Uashingtoni dhe kryeqytetet e NATO-s, nuk mund të pajtohen me shumicën e kërkesave të tij në formën e tyre aktuale.
Atëherë, a janë këto propozime thjesht një pozicion negociues maksimalist, apo një “gjethe fiku”, një justifikim që Putini të ndërmarrë gjithsesi veprime ushtarake kundër Ukrainës? Në realitet, presidenti rus mund të jetë gati të përdorë përshkallëzimin ushtarak me disa faza, për t’i nxitur vendet perëndimore të pranojnë kushtet e tij.
Ai mund të dyshojë se Putini gjendet në një moment dobësie, teksa Gjermania ka një qeveri të re, në Francë pritet të mbahen zgjedhjet presidenciale në prillin e vitit të ardhshëm, ndërsa Shtëpia e Bardhë e ka sabotuar një pjesë të diplomacisë së saj ndaj Ukrainës, sidomos duke hequr dorë nga sanksionet e SHBAp-së ndaj gazsjellësit rus ”Nord Stream 2”.
Ndërkohë, ka shenja shqetësuese se Putin po përpiqet të krijojë një pretekst për të vepruar ushtarakisht, ose ta joshë Kievin të futet në një kurth, siç bëri me udhëheqjen e Gjeorgjisë në vitin 2008.
Putin ka pretenduar publikisht se Ukraina po planifikon një ofensivë për të rimarrë rajonet kufitare lindore të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Strategjia e dyfishtë që Biden nisi të zbatojë në samitin e tij të fundit me Putin, ka shumë kuptim.
Por ajo kërkon një zbatim të kujdesshëm, dhe një unitet mbi qëllimet dhe mesazhet që jepen me aleatët evropianë. Njëra nga rrugët është rritja sa më shumë që të jetë e mundur e kostove të agresionit rus, duke e bërë të qartë se Perëndimi do të vendosë sanksione vërtet të dhimbshme ekonomike ndaj Rusisë, dhe se do të sigurojë materiale shtesë mbrojtëse për Ukrainën, nëse ndodh sulmi.
Nisja e një lufte në shkallë të gjerë kundër një kombi tjetër sllav, për qytetarët e të cilit Putin u ka thënë vazhdimisht rusëve se formojnë “një popull” me ta, do të mbartte rreziqe të mëdha të brendshme – pavarësisht armiqësisë që ka mbjellë media shtetërore propagandistike ruse kundër qeverisë së Kievit.
Paralajmërimet mbi sanksionet e reja financiare apo ato të lidhura me energjinë, duhet të peshojnë në llogaritjet që bën në Kremlin presidentit rus. Pista e dytë e veprimet janë bisedimet mbi ato që Joe Biden i ka quajtur “shqetësimet” e Putinit mbi sigurinë e Rusisë. Këto negociata duhet të kenë disa rregulla bazë shumë strikte. Kryeqytetet perëndimore duhet të bëjnë të qartë se do të respektojnë normat e shekullit XXI-të, se vendet evropiane janë të lira të zgjedhin vetë sistemet dhe aleancat e tyre. Se nuk mund të ketë më një rikthim në pazaret e dikurshme midis fuqisë së madhe në kurriz të kombeve më të vogla, të cilën duket se e aspiron sërish Moska.
Në rast se perëndimi do të bëjë ndonjë lëshim, pjesë e bisedimeve duhet të jenë aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia dhe pushtimi i Donbasit. Dhe që të fitojë një vend në tryezën e negociatave, Putin duhet më së pari të ulë armët, dhe të ndërmarrë hapa për të de-përshkallëzuar situatën rreth Ukrainës.
Presidenti rus po luan fuqishëm me disa karta relativisht të dobëta që ka në dorë. Perëndimi nuk duhet të luajë dobët me kartat e tij më të forta. Përpara na pret një diplomaci komplekse dhe shumë e vështirë. Por Putini duhet të bindet me çdo kusht që të heqë dorë nga ideja e luftës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al