Dr. Gentian Huti, Shef i Departamentit të Reanimacionit në Spitalin Amerikan 3 ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku u shpreh se varianti Omicron mund të ketë qarkulluar prej javësh në vendin tonë. Ai tregoi për gazetarët Enkel Demi dhe Sibora Bitri se tre javë më parë u prek nga ky variant.
Dr. Gentiani tha se është e nevojshme bërja e vaksinës pasi ul agresivitetin e virusit. Ai shpjegoi se në krahasim me vitin e kaluar, pacientët kanë shenja klinike më të ulëta dhe vdekshmëria është më e ulët. Sipas tij, rastet janë shtuar por nuk mund të thuhet nëse bëhet fjalë për variantin e ri.
“E vetmja gjë që rekomandoj deri tani është qetësia dhe mos lëvizja e të sëmurit. Në fazën e parë të sëmundjes, faza e rrugëve të sipërmeve respiratore mund të bësh lëvizje pa u sforcuar. Kur ka prekje të mushkërive nuk rekomandoj asnjë lloj aktiviteti fizik që e sforcon sëmundjen. Kjo është arsyeja sepse Covid-19 nuk është një sëmundje e mushkërive por e gjithë organizmit.
Mendoj se Omicron mund të ketë ditë në vendin tonë. Kam kaluar para tre javësh Omicron se kam pasur kontakt me një mik që kishte Omicron. Është një virus që ka një virulencë të madhe, përhapja është shumë e shpejtë. Thuhet se ka gravitet jo si variantet e tjera, por realisht në spital vijnë në gjendje mbi mesataren. Nuk e di nëse janë Omicron ose jo, por rastet janë shtuar. Numri i pacientëve për shtrim është shtuar shumë.
Sa i përket përdorimit të remdesivir-it, ai tha se duhet përdorur me rekomandim nga mjeku dhe në kohën e duhur. “Ka shumë studime që e përjashtojnë mundësinë e përdorimit të remdesivirit. Unë mendoj se çdo lloj protokolli zbatohet për një vend të caktuar. Për këtë ka shumë kundërshti, nuk është se ka një studim të caktuar që thotë se nuk duhet përdorur. Në Evropë nuk rekomandohet shumë. Për mua ka dhënë efekte spektakolare për sa i takon sëmundjes pro gjithmonë nëse përdoret në kohën e duhur.”, shtoi Dr. Gentiani.
/abcnews.al