Çështja e Kosovës dhe Serbisë është diskutuar edhe në forumin e sigurisë në Senatin e SHBA. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu nënvizoi se ideja e shkëmbimit te territoreve rrezikon të hape kutinë e Pandorës në Ballkan.
Sfidat në Evropën Juglindore dhe sjellja keqdashëse e Rusisë është tema që ka bërë bashkë në forumin e sigurisë në senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësues të 18 shteteve. E organizuar nga kryetari i Partisë Republikane Fatmir MEDIU dhe Kryetari i Komisionit të Sigurisë Sen Jim Inhofe, kjo tryezë solli në vëmendje sfidat me të cilat vendet e Evropës Juglindore po përballen. Ato janë: lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, lufta ndaj trafiqeve, lufta ndaj elementëve terroristë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Përsa i përket zhvillimeve gjeopolitike në rajon, kryetari republikan Fatmir Mediu nënvizoi se: “Duhet përshëndetur marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, ç’ka do të jetë një hap përpara në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Nato-s dhe BE-së. Nga ana tjetër, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ndaluar. Janë hedhur shumë ide në tavolinën e diskutimeve, deri edhe në shkëmbim territoresh, ku rrezikohet të hapet kutia e Pandorës në Ballkan dhe në krye të kësaj çështje na shfaqet roli përcaktues i Rusisë” – ka thënë Fatmir Mediu në fjalën e tij. Shqipëria u përfaqësua në këtë forum nga presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Pandeli Majko dhe ish-ministri Damian Gjiknuri./abcnews.al