Drejtuesi i automjetit tip “Benz” që u përfshi mbrëmjen e së hënës në aksidentin me dy viktima në aksin Milot-Rrëshen është vënë në pranga. Mësohet se Arlind Mihaj aktualisht ndodhet ne spital.
Aksidenti i rëndë në Milot këtë të hënë i mori jetën fëmijës 3 vjeç dhe babait të tij Shkurt Prenga, kurse nëna ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Lexo edhe: Babai dhe djali vdiqën në aksident, nëna në gjendje të rëndë, kjo është familja Prenga
I mituri udhëtonte me prindërit në makinën “Opel”.
Fëmija gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa i ati u dërgua në spitalin e Lezhës, ku dhe humbi jetën pak kohë pas ngjarjes. Nga të dhënat paraprake dyshohet se shkak për aksidentin është bërë parakalimi i gabuar i “Benz-it”, duke sjellë edhe përplasjen e fortë.
NJOFTIMI
“Lezhë
Specialistët e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë bënë arrestimin në Spitalin e Traumës Tiranë, të shtetasit A. M., 26 vjeç, banues në Tropojë, për vepren penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “.
Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në aksin rrugor Milot-Morinë, është përplasur me automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin Sh. P., i cili ka humbur jetën së bashku me fëmijën e mitur, ndërsa bashkëshortja e tij ka marrë dëmtime të rënda dhe ndodhet në spital. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.” /abcnews.al/