153 familje u futën mbrëmjen e sotme në shtëpitë e reja që u rindërtuan në Kavajë pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019-tës.
I pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, zv/ kryeministri Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë. Rama kishte një premtim. “Brenda 2022-shit të gjitha gjurmët e tërmetit të jenë zhdukur dhe kudo që tërmeti hapi një plagë të ketë një shtëpi të re”.
Një përgjigje kreu i qeverisë e kishte edhe për opozitën pas akuzave për buxhetin e rindërtimit dhe fondeve nga donatorët. “Nuk është një thes, apo valixhe që u mbush me para në Bruksel, Stamboll apo Abu Dabi dhe erdhi këtu. JO” tha Rama.
Meritat për qeverinë nuk i kurseu. “Qeveritë zgjidhen për të bërë detyrën dhe jo për të bërë vezë të kuqe. Ne detyrën dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër në këtë vend”.
Fundi i fjalës u la vendin fishekzjarrëve, ndarjes së dhuratave për fëmijët dhe hyrjes në banesat e reja për të takuar familjet. “Je flori, flori” iu drejtua një grua e moshuar. “Perfekt, ti gëzoni” ishte përgjigja e kryeministrit./ Abcnews.al