Bes Kallaku përcolli një mesazh të rëndësishëm gjatë puntatës së sotme në spektaklin e humorit “Kosherja”. Në editorialin e tij, aktori i humorit tha se pavarësisht faktit se vendi ynë ka të gjitha resurset për të qenë një ndër vendet më të zhvilluara në Evropë, korrupsioni ka bërë që të ndodhë e kundërta.
Mes të tjerash, ai ka dhe një thirrje për klasën drejtuese teksa thotë: “Vini dorën më shumë në zemër sesa në xhepat tanë”. “Ju lutem juve që na drejtoheni, krijoni mundësinë që ta shijojmë këtë mrekulli të zotit dhe ju lutem shumë vidhni atë që investoni dhe investoni atë që vidhni.“, thotë aktori i humorit.
Fjala e tij e plotë:
Shqipëria është një perlë e natyrës, një vend me pasuri, me turizëm malor dhe fushor, me plazhe dhe alpe të mrekullueshme. Kaq pasuri, si ka mundësi që renditemi vendi më i varfër në botë? Ndonjëherë dyshoj dhe te vetja duke dëgjuar Edi Ramën dhe Safet Gjicin që thonë ‘sa është investuar në Shqipëri dhe në Kukës nuk është investuar as në Gjermani’. Mos po kërkojmë më shumë se ç’duhet nga vetja?
Apo e kanë fjalën për veten e tyre. Nuk besoj se ka një shtet në botë që ka mbi 600 vite që vetëm vidhet, duke filluar që në Perandorinë Romake, Osmane, mbretëria, komunizmi dhe tani demokracia. Si durojmë dhe nuk pëlcasim. E dini pse? Sepse në këtë vend nëse janë 10 lekë për t’u investuar, investohen 2 dhe vidhen 8. Nëse do të ndodhte e kundërta që të investohej ajo që vidhej dhe të vidhej ajo që investohet, do të ishim rrotë më rrotë me Gjermaninë.
Ju lutem vini dorën më shumë në zemër sesa në xhepat tanë. Vërtetë Shqipëria është një vend që ke dëshirë të jetosh por ama ne shqiptarët kemi një dëshirë të madhe vetë shkatërrimi. Kemi lumenj të mrekullueshëm por i ndotim ne. Ne ndërtojmë në breg të detit dhe djegim pyje, vjedhim kapakë pusetash dhe e shesim për 50 mijë lekë. Të nesërmen biem vetë brenda dhe harxhojmë 100 mijë lekë me vendosur këmbën në allçi.
Duke pasur dëshirën e vetë shkatërrimit, imagjino t’i thuash një shqiptari që kulla Eiffel ka dashur dy vite të ndërtohet, do të thotë për dy ditë ta çoj për skrap. Vërtet është vendi me pasuritë më të mëdha natyrore sepse kemi naftë me bollëk por kemi çmimin më të lartë të naftës në Evropë. Kemi lumenj dhe burime hidrike pa fund por kemi çmimin më të madh të energjisë në Evropë. Vërtetë Bulqiza është qyteti më i pasur me krom por më i varfër në Evropë. Vërtetë Ballshi është më i pasur me naftë por është më i varfri në Evropë.
Vërtetë Velipoja dhe Shëngjini kanë bregdete të mrekullueshme por prapë bizneset dhe njerëzit mezi mbijetojnë. Si duket shumë shpejt ky vend do të bëhet si Dubai. Ata që janë të varfër do të ikin dhe do të jetojnë ata që janë të pasur. Kur do të pushojnë së vjedhuri këtë vend. Ju lutem juve që na drejtoheni, krijoni mundësinë që ta shijojmë këtë mrekulli të zotit dhe ju lutem shumë vidhni atë që investoni dhe investoni atë që vidhni.” /abcnews.al