Kryeministri Edi Rama ndodhet pasditen e së premtes në Thumanë ku po ndizen dritat e shtëpive të reja të ndërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u shpreh se procesi i rindërtimin nuk ishte i lehtë, por shtoi ai, edhe me ndihmën e disa fondacioneve apo individëve u realizua. Rama tha se është shumë krenar që banorët e prekur do ta festojnë këtë vit të ri në banesa të reja që ”janë më komode dhe me të forta nga ç’ishin më parë.”
“Është çuar përpara një proces aspak i lehtë, për mundësimin e kësaj pamjeje që dy vjet më parë askush nuk do ta kishte besuar dot sesi do të ishte Thumana e dy viteve më pas. U jam mirënjohës atyre që na u bashkua, Behgjet Pacolli, fondacioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’. Është një bashkim forcash, energjish, që jam krenar që e kemi udhëhequr vendosshmërisht në një kohë aspak të lehtë…Jam shumë krenar që këto nëna gjyshër e baballarë, sot do të hynë në shtëpitë e tyre dhe deri për Vitin e Ri të gjitha familjet do të bëjnë gëzuar në një shtëpi të re që s’ka lidhje me shtëpinë që humbën, më të fortë, më komode, pjesë e një kompleksi që krijon komunitet dhe me katet e para shërbimesh…Jam i lehtësuar që vajza dhe djemtë adoleshentë të Thumanës zhvillojnë sot mësim në një shkollë të rindërtuar, pranë janë fëmijët që kanë kopshtin e tyre..” /abcnews.al/
Kujtojmë se në Thumanë janë ndërtuar 14 pallate, 278 apartamente dhe 155 banesa individuale.
Po ashtu janë 16 ha truall ndërtimi, 37 426 m2 infrastrukturë rrugore, si dhe 3456 m2 ndërtime në objekte publike, shkollë, çerdhe, qendër shëndetësore, qendër komunitare etj. Në shërbim të banorëve janë edhe 46 148 m2 hapësira publike, parqe, hapësira sportive dhe 408 vendparkime. /abcnews.al/