Terrori me armë në një lokal në Lezhë, arrestohet bashkëpunëtori i Ramazan Rrajës

schedule11:07 - 24 Dhjetor, 2021

schedule 11:07 - 24 Dhjetor, 2021

Një 21-vjeçar me iniciale A.L. është arrestuar nga policia pasi akuzohet si bashkëpunëtor i autorëve të terrorit me armë në një lokal në Lezhë nga disa persona, njëri prej të cilëve nipi i deputetit të PS Rrahman Rraja, Ramazan Rraja i shpallur në kërkim nga policia. Blutë bëjnë me dije se kanë ushtruar kontroll në banesën e 21-vjeçarit bazuar në informacione se ai mbante armë pa leje. Në momentin e kontrollit ata kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri automatik me 2 krehëra dhe 132 fishekë luftarak.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Supporter”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.  Sekuestrohen armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Vihet në pranga poseduesi, person me precedentë të theksuar kriminal. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar, si dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi A. L. mbante armë pa leje në banesë, në fshatin Pllanë, Lezhë, kanë ushtruar kontroll në banesën e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri automatik me 2 krehëra dhe 132 fishekë luftarak. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: A. L., 21 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore ky shtetas dyshohet si përkrahës i autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 13.11.2021, në një lokal në Zejmen, Lezhë, ku hynë të armatosur disa persona të maskuar, të cilët janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit A. L. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, njofton policia.

Bashkë me Rrajën në lidhje me ngjarjen e nëntorit, janë shpallur në kërkim Alesio Dobrozi, 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe Roan Brahimi banues në Pllanë, Lezhë. Rraja bashkë Brahimin dhe Dobrozin, dyshohet se janë arratisur jashtë vendit. Nga sa mësohet ata kanë udhëtuar fillimisht drejt Italisë, nga ku dyshohet se janë larguar drejt Dubait, e konsideruar si parajsë për fshehjen e personave të shpallur në kërkim nga policia. m.v/Abcnews.al