Hapet segmenti i dytë i Bulevardit të Ri në Tiranë. Kreu i bashkisë, Erion Veliaj, e cilësoi këtë projekt shembull të kontrastit mes atyre që punojnë dhe atyre që sabotojnë.
Bulevardi i Ri nga ish-Stacioni i Trenit në Tiranë deri te kryqëzimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja” është tashmë funksional për automjetet. Bashkia e Tiranës ka përfunduar segmentin e dytë prej 500 metrash të Bulevardit të Ri, si dhe sheshin e tretë në fund të tij. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve dhe tha se tashmë zgjidhet një nyje që shkaktonte trafik.
“Jam shumë i lumtur që kemi hapur sot sheshin e tretë të bulevardit dhe ende pa përfunduar pjesa finale e tij, është funksional për automjetet. Ata që banojnë në njësitë 8 dhe 9, të lidhur përmes rrugëve “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, kanë një mundësi të shkëlqyer të shkurtojnë kohën e tyre në trafik, duke kaluar nga njëra njësi tek tjetra, duke e parë bulevardin si urë dhe jo si ndarje. Jam shumë i lumtur që zgjidhet një nyje e trafikut që i afrohet asaj që në të ardhmen do jetë Unaza e katërt e Tiranës”, tha Veliaj.
Veliaj gjeti rastin të theksojë kontrastin që ka sjellë, sipas tij, puna e bërë gjatë këtyre viteve në këtë projekt në krahasim me administratën e shkuar.
“Më kujtohet kur e nisëm këtë punë, para katër vitesh: Kemi qenë tek ish-stacioni i vjetër i Trenit dhe është e pabesueshme sa ecet kur punohet. Teksa shoh kontrastin, tani që po i afrohemi lumit dhe ku investimi ynë në lumin e Tiranës na ndan nga bashkia që vjen e proteston çdo ditë në Tiranë; teksa shoh që në anën tjetër të lumit vazhdon e hidhen plehra, të digjen plehra, i gjithë tymi vjen në Tiranë, u them që ju mirëpresim! Tani ju kemi bërë edhe një bulevard të ri, mund të vini të protestoni për çdo gjë, por fillimisht na tregoni, si e bëni ju këtë punë! Para se të mobilizoheni të rrëzoni qeverinë dhe ata që kanë sjellë gjithë këtë zhvillim e progres për Tiranën, na thoni nga kush duhet të marrim shembull? Unë nuk besoj se në Tiranë duhet të vazhdojnë të hidhen më plehra në lumë, në Lanë apo në Erzen; nuk besoj se duhet të digjen më plehra, ndërkohë që kemi një mënyrë moderne sot të përpunimit; nuk besoj që rruga, dhuna, pengesa, sabotimi është mënyra për të ecur përpara”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku theksoi se ky bulevard do jetë boshti i asaj që nesër do të quhet Tirana e së ardhmes. Veliaj tha se në këtë aks do të vendosen shumë institucione publike dhe të biznesit, çka pritet ta bëjë atë një nga zonat më të mira të Tiranës./abcnews.al