Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në raportimin e saj para Komisionit për Legjislacion ka thënë se të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka për të vuajtur dënimin e tyre në burgun e Gjilanit s’do të jenë shtetas danezë por shtetas të vendeve të treta. Haxhiu para deputetëve tha se të burgosurit do të vuajnë dënimin maksimal prej 10 viteve raporton Gazeta Express.
“Ne jemi të interesuar që të marrim sa më pak përgjegjësi në këtë drejtim, shtetësia e tyre nuk dihet por çfarë dihet është se ata nuk do të jenë shtetas danezë dhe do të jenë të burgosur për vepra deri në 10 vite jo më shumë se aq. Shpenzimet e familjarëve do të jenë në përgjegjësi të Danimarkës. Ne gjashtë muaj që para se një i burgosur të kryejë dënimin ne fillojmë bisedimet me Danimarkën dhe përgatitjet që personi të shkojë në Danimarkë dhe më pastaj në vendin e origjinës”, tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu tha se marrëveshja me Danimarkën për dhënien me qira të burgut të Gjilanit pritet të hyjë në fuqi në vitin 2023.
“Jemi dakorduar që për shkak se Mbretëria e Danimarkës ka nevojë që t’i ndihmojmë në këtë drejtim, jemi pajtuar që tua ofrojmë qendrën e paraburgimit në Gjilan që i ka 300 shtretër aq sa është kërkesa e Mbretërisë së Danimarkës.Kjo marrëveshje pritet të hyjë në fuqi në vitin 2023 nëse ratifikohet nga kuvendet e dy shteteve aty do të vlejnë ligjet e Danimarkës”, tha ajo./ Abcnews.al