Boston Sëlltiks kalon nga fitorja në fitore në basketbollin amerikan. Rekordmenët e titujve kryesojnë renditjen falë Irvingut, yllit të ardhur nga Klivlendi.
Rivali më i afërt është 5 fitore larg.
Boston Sëlltiks kishte gati një dekadë që priste të ngjitej në nivele të tilla, dhe u desh një yll i ardhur nga Klivlendi, për ta ndihmuar.
Kajri Irving shënoi 47 pikë, rekordin personal të sezonit, në suksesin e 16 radhazi në NBA.
Ish-krahu i djathtë i Lebron Xhejmsit nuk u dorëzua në fushën e Dallasit, as kur vendasit kryesonin deri në 13 pikë epërsi, por shpërtheu në fund duke siguruar suksesin pas kohës shtesë.
Irving kapi edhe 3 topa në tabela, shërbeu 6 asistë si dhe i vodhi një top kundërshtarëve.
Përshtatja e tij e shpejtë bëri që Bostoni të realizonte një transformim jo shumë të shpeshtë në basketbollin amerikan.
Pasi e nisi edicionin me dy humbje, Sëlltiks kryeson renditjen me 16 fitore dhe me vetëm ato dy disfatat e para si bilanc.
Dominimi në Konferencën Lindore duket total, me Toronton, Detroitin dhe vetë Klivlendin e Xhejmsit në distancë të madhe, prapa kryesuesve.
Dominimi në NBA nuk është më i paktë, pasi dy superfuqi të Konferencës Perëndimore, si Golden Stejti e Hjustoni, kanë nga 13 fitore e 4 humbje.
Ylli 25-vjeçar u largua nga Klivlendi dhe nga Xhejmsi, i vendosur që të merrte një rol udhëheqës në një skuadër tjetër dhe ta dërgonte drejt suksesit.
Vështirë se mund të kishte bërë një zgjedhje më të mirë sesa Boston Sëlltiksin, skuadrën rekordmene në NBA, me 17 tituj kampion në histori./abcnews.al