Në selinë e PD-së, dy palët që nuk njohin njëra-tjetrën, u përplasen në distance, duke përdorur tone force. Zoti Berisha në një konferencë shtypi nga një sallë përballë asaj ku zoti Basha po zhvillonte një mbledhje, i bëri thirrje këtij të fundit të largohet nga Partia. Dera e sallës ku zoti Berisha mbajti konferencën u hap më dhunë nga një prej personave që e shoqëronin atë, e që sipas zotit Basha është një narkotrafikant i kërkuar në Britaninë e Madhe. Kryetari demokrat ju kundërpërgjigj pararendësit të tij, duke deklaruar se partia i ka të gjitha mundësitë të mbrojë integritetin e institucionit të saj.
Zoti Berisha u rishfaq sot në selinë e Partisë Demokratike së bashku me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, struktura e zgjedhur nga Kuvendi i thirrur prej tij më 11 dhjetor. Së bashku, u ngjitën në hollin e katit të dytë dhe u drejtuan në një nga sallat. Dera e mbyllur u hap me forcën e shkelmave nga një prej personave që shoqëronte zotin Berisha dhe mbështetësit e tij.
Në sfond ishte slogani i Kuvendit të thirrur nga zoti Basha të shtunën e kaluar. Për pasojë, tavolina dhe karriget në sallë u ndryshuan, duke u spostuar në krahun e kundërt.
Zoti Berisha deklaroi se Komisioni kishte vendosur të niste nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit ku mes të tjerash u votua dhe për shkarkimin e zotit Basha, vendim i cili ju nënshtrua një javë më pas një referendumi të organizuar po nga zoti Berisha. Vendimi, tha ai, do t’i njoftohet zotit Basha me shkrim: “Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë së PD në aktin më historik të lirisë, siç ishte referendumi”.
Zoti Berisha theksoi disa herë në formë ultimative se vendimi i marrë do zbatohet “pa asnjë lloj hezitimi. Paralajmëroj deputetin Basha të mos imagjinojë dhe mendojë për një cast të vetëm t’i kundërvihet vendimit të referendumit më të gjerë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e vendit në një forcë politike. Anëtarët kanë vendosmëri absolute për të zbatuar këtë vendim”.
Zoti Basha i cili ndodhej në një mbledhje në një tjetër sallë përballë reagoi menjëherë pas largimit të zotit Berisha, duke deklaruar se personi që kishte hapur me dhunë derën ky hyri ish kryetari, ishte “Fatjon Dautaj, narkotrafikant i kërkuar nga Agjensia Kombëtare e Krimit në Britaninë e Madhe”.
Sipas zotit Basha, “hyrja e dhunshme në zyra, vetëm ekspozon dëshpërimin e Sali Berishës, të cilin e lexuan të gjithë, dje. Dëshpërim që vjen nga fakti që e ka kuptuar që nuk është thjesht pakicë, por është një i vetëm, i ndjekur nga një përzierje e çuditshme njerëzish, që e kanë urryer gjithmonë dhe që e urrejnë edhe sot, por që shpresojnë, që përmes tij të kapin diçka, në këtë situatë, dhe nga një pjesë, jo sot, po ditën e djeshme, demokratësh të zhgënjyer, rikthimi i të cilëve brenda familjes sonë, duke i zhveshur nga iluzionet dhe gënjeshtrat e Sali Berishës, është një nga detyrat tona”.
Ndërsa i kujtoi zotit Berisha, vendimin e Kuvendit të 18 dhjetorit sipas të cilit personat e shpallur non grata nuk mund të mbajnë asnjë funksion në PD, zoti Basha ju kundërpërgjigj dhe paralajmërimit të bërë prej tij: “Partia Demokratike i ka të gjitha mundësitë të mbrojë integritetin e institucionit të saj nëse dikush mendon se mund ta përdhosë me banditë të dhunshëm”
Rrugët mes tyre janë qartësisht të ndara, dhe ajo që deri pak më parë ishte një luftë nervash, duket se tani është kthyer dhe në një provë force./VOA