Finalizohen marrëveshje të reja mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të nismës “Open Balkan”. Në pallatin e Brigadave në Tiranë marrëveshjet janë firmosur nga Kryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
5 marrëveshjet lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve mes vendeve, lehtësira kufitare për identifikimin e udhëtarëve, sigurinë ushqimore të mallrave që shkëmbejnë mes tyre.
Marrëveshjet
- Marrëveshja e parë është ajo për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.
- Një tjetër marrëveshje që pritet të nënshkruhet është për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
- Marrëveshja e tretë që do të nënshkruhet, është ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.
- Tjetër marrëveshje që do të nënshkruhet është, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).
- Dhe marrëveshja e pestë është ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).
Këtë të martë Rama, Zaev dhe Vuçiç u mblodhën në Pallatin e Brigadave në Tiranë, bashkë me delegacionet e tyre. Në një konferencë të përbashkët të tre liderët folën për risitë dhe benefitet e “Open Balkan” duke e konsideruar një proces gjithëpërfshirës dhe do të sjellë të mira për qytetarët e vendeve pjesëmarrëse në të. Kryeministri Rama pati një ftesë për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën që të bëhen pjesë e nismës, ndërsa theksoi se me marrëveshjet e nënshkruara mesazhi që përçohet është se viti 2022 do të jetë një epokë e re. “Ballkani i Hapur” sipas Ramës po përgatit rajonin për integrimin europian dhe tregun e përbashkët në BE.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, tha se kjo ishte pjesëmarrja e tij e fundit në mënyrë të drejtpërdrejtë në një samit të tillë dhe pikërisht për këtë fakt bëri thirrje që të ruhet dhe zhvillohet “Ballkani i Hapur”. Nga ana tjetër Vuçiç tha se i kishte ardhur në majë të hundës që duhet t’u kërkonin falje për këtë iniciative vendeve të rajonit që nuk duan të bëhen pjesë e saj. I pranishëm në takim, Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi mbështeti nismën ndërkohë që ftoi edhe 3 vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen. be.k/abcnews.al