Ne pritje të 5000 lekëshit!

schedule10:50 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 10:50 - 21 Dhjetor, 2021

Nga Edi Oga

Tek dyqani i fruta-perimeve të lagjes, më ndodh shpesh që blej njëkohësisht me një çift të moshuarish që i shoh përherë bashkë. Gruaja mban qeskën grykëhapur, kurse i shoqi kap nëpër arka dhe shtie brenda ato që i thotë ajo:

“Një spec, një kungull, një patëllxhan, dy patate, dy qepë, dy karrota, dy domate…”.

Nuk m’u durua dhe u fola:

“Ndjesë se nuk më takon, po pse nuk bleni ca më tepër që të mos jeni të detyruar të dilni çdo ditë, se është goxha ftohtë”!

Gruaja u duk se e kishte gati përgjigjen:

“Eh mor bir! Ai i ftohti na mori në qafë! Shkuam paguam dritat me plakun. Dyzet e tetë mijë lekë Nëntori. Pale sa do na vijë Dhjetori!”

I shoqi na dëgjoi dhe pak i prekur në sedër, e vazhdoi si me shaka:

“Po bëjmë dietë unë me plakën, se sa të marrim 5000 lekëshat, një unë një kjo, do ta mbushim frigoriferin plot! Rrezik na tepron edhe për ndonjë pulë deti!”

Nuk fola më. Pagova për vete dhe i bëra shenjë shitëses që të mos u marrë lekë atyre të dyve për gjërat që blenë sot. Ndjeva që mu mblodh diçka si e ngurtë në gjoks. “Çfarë duhet të bëj unë sot, që kur të më vijë mosha e pensionit, të mos kem nevojë për 5000 lekët e “shpërblimit” për të ruajtur dinjitetin?!” /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!