“Aty ku lind shpresa, lind fitorja”, Berisha publikon videon e Baker pasi “shkarkoi” Bashën

schedule10:10 - 19 Dhjetor, 2021

schedule 10:10 - 19 Dhjetor, 2021

Një ditë pas referendumit përmes të cilit “shkarkoi” kreun e PD Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një mesazh “fitoreje”.

“Miremengjes miq! Aty ku lind shpresa, lind fitorja”, kështu shkruan Berisha në rrjete sociale teksa ka publikuar një video të tij.

Në një tjetër mesazh Berisha ka postuar një video të ish-sekretarit amerikan të shtetit James Baker gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

“Nderim dhe mirënjohje të pakufishme 44 mijë demokratëve që me votën e tyre të lirë morën në dorë fatin e tyre!”, shkruan Berisha. Në videon në fjalë Baker thotë se; “Ju jeni të lirë të besoni atë që dëshironi. Më në fund ju jeni të lirë të pohoni atë që të dëshironi. Më në fund ju jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj”.

Pas referendumit, dje Berisha falënderoi 44,000 demokratët që sipas tij sot vendosën pro shkarkimit të  kryedemokratit Lulzim Basha. Po dje Basha gjatë Kuvendit të PD, u votua përmes ngritjes së kartonëve jeshilë, duke miratuar një rezolutë e cila nuk njeh mbledhjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha në 11 dhjetor. Po ashtu, u votua edhe një akt tjetër, i cili lë jashtë forumeve të partisë personat e lidhur me komunizmin dhe ata të shpallur non grata nga SHBA. Ky dokument u bë posaçërisht për Berishën, duke e përjashtuar kështu nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar Demokrat, forume ku Berisha ishte anëtar për shkak të detyrës si ish kryeministër.

Lexo edhe: Komisioni i Rithemelimit: Në orën 11:00 shpallim rezultatin për shkarkimin e Bashës

Lideri i PD dhe ish-lideri i PD pritet të kenë sot një komunikim për medie. Basha ka deklaruar se do të bëjë transparencë me emrat e 5004 delegatëve që kanë votuar dje në Kuvendin e PD. Nga ana edhe Komisioni i Rithemelimit i ngritur gjatë Kuvendit të Berishës do të mblidhet sot për të verifikuar rezultatin përfundimtar te Referendumit për shkarkimin e kreut të PD. be.k/abcnews.al