Strehimi i familjeve në nevojë, vihen në funksion ish-godinat shtetërore

schedule17:24 - 1 Shkurt, 2019

schedule 17:24 - 1 Shkurt, 2019

Bashkia e Patosit në pamundësi për të ndërmarrë projekte të mirëfillta strehimi po përshtat ish-godinat shtetërore në banesa sociale. Kryetarja e kësaj bashkie, Rajmonda Balili, thotë se kostoja është e ulët dhe në këtë mënyrë ndërtesat vihen në funksion të familjeve në nevojë.

Kostoja e ndërtimit nga e para për banesa sociale, në bashkitë e vogla si Patosi është e lartë për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave. Kjo nuk i ka lejuar vendorët të ndërmarrin projekte të mirëfillta strehimi.

“Këto banesa, të cilat janë transferuar nga sistemi i naftës, por që janë objekte shtetërore janë transferuar në pronësi 100% të bashkisë, ndaj dhe ne kemi një plan menaxhimi se si do i kthejmë në jetë këto banesa. Dhe këto janë rastet e para për t’i ardhur këtyre familjeve në nevojë për banesat sociale”.

Për ndërtuesit të përshtasësh një godinë me zyra, në pallat banimi është pak a shumë si të ndërtosh nga e para, por kostoja gjithësesi mbetet e ulët. Për dekada me radhë pasuritë shtetërore në Patos ishin zaptuar ose braktisur duke mbajtur peng hapësira që mund t’i ofroheshin qytetarëve. Tani si pronë e bashkisë ato janë në dispozicion të nevojave të publikut. 

“Kemi dhe objekte të tjera që janë pa funksion dhe ne projektojmë për t’i adaptuar në banesa sociale”.

Ky është projekti i dytë brenda dy viteve për strehimin në Patos. 15 familje ku kryefamiljarët janë gra, u strehuan në një tjetër godinë që bashkia e ktheu në pallat banimi. /abcnews.al