Publicisti Dukagjin Gorani duke folur për të ardhmen Shqipëri-Kosovë, tha se e ardhmja e të dyja vendeve në Ballkan është e përbashkët. Nga studioja e emisionit “Tiranë-Prishtinë, ku gabuam?” në Abc, Gorani u shpreh se autostrada shembi “muret” dhe ndërtoi ura komunikimi më të forta mes dy vendeve.
“Unë mendoj që të jemi brutalisht realist, deri në ndërtimin e autostradës, komunikimet Kosovë Shqipëri kanë qenë të një intensiteti të ulët.
Ndasia jonë ka qenë ndasi e madhe topografike, gjeografike etj. Sot, një send që mundet me u duk detaj jo i rëndësishëm ne na ka ndërruar intensiteti i kontakteve vetëm për shkak të një autostrade. Nga ana tjetër shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ende nuk e shohin veten si partnerë brenda një kozmosi socio-ekonomik.
Mendoj se këto 2 shoqëri duhet me gjet mënyrën e krijimit të interesave ekonomike të ndërsjella për njëri tjetrin. Pa gjetur këtë, dashuria deklarative dhe formale s’e krijon atë bashkësinë faktike. Ardhmëria e shqiptarëve në Ballkan është e përbashkët”, tha ai.
Sipas tij intensiteti i shkëmbimit ekonomik të dy vendeve do të rritet vit pas viti. Gorani theksoi se interesi i tij si qytetar i Kosovës është që të afrohet me Shqipërinë, duke e vlerësuar vendin tonë me botëkuptim shumë pro perëndimor.
“Unë nënkuptoj që intensiteti i shkëmbimit ekonomik do rritet me çdo vit. Në raport me Shqipërinë dhe nga ana e Shqipërisë në raport me Kosovën do të përcillet diskursi unifikues. Një proces i tillë është i pashmangshëm. A do shndërrohemi ne në një të ardhme të afërt në një organizëm të përbashkët apo në një kombinim të organizmave të përbashkëta shoqërore, ajo varet.
Më pëlqen biseda për një afrim mes Kosovës dhe Shqipërisë, s’po bëhen nga pozicionet e hymnizuara dhe as nga pozicionet militante, por duke u vendosur në një nivel botëkuptimi praktik dhe pragmatik. Interesi im si qytetar i Kosovës të afrohem me Shqipërinë është më i madh.
Shqipëria është vendi kryesor sekular në Ballkan, ka një botëkuptim perëndimor të palëkundur. Ky është faktor i rëndësishëm që e çmoj në shoqërinë shqiptare. Natyrisht ka një ekonomi jo stabile… Këta se dinë gjuhën tonë por na se dimë të tyre”, tha ai. /abcnews.al