Një ushtar ukrainas ka humbur jetën gjatë luftimeve me separatistët pro-rusë në lindje të vendit.
Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet ukrainase në kohën kur tensionet me Moskën po rriten. Kievi është duke luftuar me kryengritësit pro-rusë në dy rajone kufitare me Rusinë që nga viti 2014, kur Kremlini e kishte aneksuar gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Mediat e huaja raportojnë, se sipas ushtrisë ukrainase bëhet me dije se separatistët i kanë shënjestruar pozicionet e saj me granatahedhës dhe mortaja. Forcat ukrainase raportuan se një ushtar u vra dhe një tjetër u lëndua.
Rasti i fundit fatal e çon në 65 numrin e të vrarëve në radhët e forcave ukrainase vetëm nga fillimi i këtij viti, sipas të dhënave të agjencisë AFP, të mbështetura në shifra zyrtare. Në vitin 2020 ishin regjistruar 50 të vrarë.
Rusia dyshohet se ka grumbulluar rreth 100.000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë paralajmëruar Rusinë për pasoja të rënda në rast të agresionit ndaj Ukrainës./abcnews.al