Aksidentet, shefi i Sigurisë Rrugore: Nuk mund të vendosim polic në çdo kryqëzim

schedule22:19 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 22:19 - 15 Dhjetor, 2021

Shefi i Sigurisë Rrugore, Skënder Ismaili tha në emisionin “Bardh a Zi” në ABC se shërbimi policor nuk arrin të mbulojë çdo kryqëzim me efektivë policie për të parandaluar aksidentet rrugore. Ai tha se në 85% të rasteve fajtorë rezultojnë përdoruesit e rrugës.  Ismaili foli edhe për mjetet që përdor policia në rrugë për të kapur shkelësit.

“Shërbimi policor nuk ka aq punonjës sa çdo kryqëzim të ketë polic. Një nga faktorët është rruga. Nga analiza që u është bërë ngjarjeve rrugore dhe aksidenteve rrugore, janë një sërë faktorësh dhe 85% e analizave për çdo ngjarje që ndodh faji është i përdoruesve të rrugës. Në vit janë konstatuar deri në 530 mijë shkelje në rrugë.

Me ndryshimet që janë bërë në kodin rrugor policia ka të drejtën të tërheqë vëmendjen. Kohët e fundit kemi marrë edhe dron testues. Kemi një sërë mjetesh të tjera teknike që janë matësit. Ne dje e provuam radarin në temperatura minus. Radarë e rinj po testohen edhe në temperatura të ulëta”, u shpreh ai.

Akuzatori në gjyq, gazetari Arsen Rusta ngriti shqetësimi se në shumicën e rasteve fajtor shpallet “viktima”, i dëmtuari në aksident. Në lidhje me këtë çështje përfaqësuesja e kompanisë së sigurimit, Greta Ambeli deklaroi se në fajësia është produkt i një proces penal dhe kompania vihet në dijeni të dëmit vetëm kur i vjen kërkesa në rrugë administrative.

“Dua të theksoj që tregu mbetet i orientuar drejt statistikave të jetës. Jo gjithmonë faji i mbetet viktimës. Në thelb fajësia është produkt i një procesi shumë të gjatë penal. Kompania e sigurimit fatkeqësisht vihet në dijeni të dëmit të ndodhur vetëm kur i vjen kërkesa në rrugë administrative.

Kjo është rezultat i një procesi penal ku kompania e sigurimit nuk është pjesë. Shoqëria e sigurimit ka dashur që të jetë pjesë edhe në procese penale që të mbrojmë edhe drejtuesin tonë të mjetit në momentin kur nuk ka faj. Kompania vihet në dijeni vetëm kur mbërrin kërkesa administrative”, u shpreh Ambeli.

Rusta tha nga ana tjetër se duhet të ketë sigurim të detyrueshëm edhe për individët dhe jo vetëm për automjetet.

“Policia nëse të kap pa siguracion, ligjërisht është shkelje dhe të thotë nuk ke siguracionin. Të bllokohet mjeti. Arkëtohet 100 euro në vit për të siguruar hekurin. Po ky këmbësori a është i siguruar?”, tha Rusta. m.v/Abcnews.al