GJKKO ka lënë në fuqi masën për ish-drejtorin e RTSH, Thoma Gëllçin. Ish-drejtori, do të vijojë të qëndrojë në burg, pasi akuzohet për një tender të dhënë në kohën që ka qenë në detyrë.
Ishte tenderi me vlerë mbi 86 milionë lekë për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro” që çoi në pranga Gëllçin së bashku me 3 ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Fillimisht shkeljet u kallëzuan nga kompania humbëse dhe më pas u konstatuan edhe nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndër shkeljet e konstatuara ishte nisja e tenderit 2 vjet përpara se AMA të jepte licencën për hapjen e një kanali të ri dhe 1 përpara se RTSH Agro të niste transmetimet. SPAK e kishte nisur proçedimin penal për këtë tender në datën 28 shkurt të 2020.
Ish-Drejtori i RTSH-së ka kryer me dashje veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin duke konsumuar elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”. Për 3 punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim.
Pas arrestimit Gëllçi, ka vijuar betejën në Gjykatën Administrative me Radio Televizionin Shqiptar duke e quajtur të padrejtë shkarkimin nga detyra. Krahas dëmshpërblimit për largim sipas tij të padrejtë nga detyra, ish drejtori i RTSH-së kërkon dhe hapjen garës për drejtues. /abcnews.al/