Autori që grabiti një ditë më parë një bankë të nivelit të dytë në Tepelenë dyshohet se është fshehur në zonën e Kurveleshit. Policia ka zbuluar vendndodhjen e të riut nga valët e telefonit, por ende nuk është bërë i mundur arrestimi i grabitësit.
Policia e Gjirokastrës ka zbuluar vendndodhjen e autorit që grabiti të hënën një bankë të nivelit të dytë në Tepelenë. Burime të ABC News thonë se autori është fshehur në zonën e Kurveleshit. Lokalizimi i Kristo Ruçit është bërë i mundur nga valët e telefonit. Policia ndodhet në terren dhe po vijon kërkimet nga toka dhe nga ajri për arrestimin e grabitësit. Ngjarja ndodhi të hënën në mesditë në qytetin e Tepelenës.
Një person i armatosur hyri në bankë dhe terrorizoi punonjësit me kallashnikov. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autori i veshur me rroba ushtarake mori rreth pesë milionë Lekë nga arka e bankës dhe u largua në këmbë. Autori nuk është i panjohur për policinë pasi i riu rezulton i dënuar më parë për vjedhje dhe trafik droge./abcnews.al