Metaverse mund të jetë edhe “ambient” pune më shpejt nga sa shumë prej nesh mund të mendojnë. Bashkëthemeluesi i Microsoft, miliarderi Bill Gates parashikon se shumica e punonjësve do t’i realizojnë takimet virtuale në metaverses në dy ose tre vitet e ardhshme.
Komentet Gates i bëri në një postim në mediat sociale ku bëri një përmbledhje të këtij viti që po lëmë pas.
“Unë parashikoj se shumica e mbledhjeve virtuale do të lëvizin nga rrjetet e imazhit të kamerës 2D…në metaverse, një hapësirë 3D me avatarë digjitalë,” shkroi Gates.
Sipas tij, kalimi i takimeve ne metaverse pritet të jetë i ngadaltë pasi shumë njerëzve u mungojnë mjetet për t’u zhytur plotësisht në këtë realitet si syzet e posaçme. Por megjithatë, Gates shprehu optimizëm për përparimet e bëra me avatarët tredimensionalë dhe audio hapësinorë për të ndihmuar përdoruesit që të ndjehen më të lidhur virtualisht.
“Ka ende pak punë për t’u bërë, por ne po i afrohemi një pragu ku teknologjia fillon të përsërisë vërtet përvojën e të qenit së bashku në zyrë,” tha Gates.
Metaverse është një fushë digjitale që kombinon teknologji të tilla si VR, realiteti i shtuar dhe video ku përdoruesit “jetojnë” në një univers virtual. Mbështetësit e metaverses duke përfshirë CEO-n e Meta-s, Mark Zuckerberg besojnë se metaverse mund të zëvendësojë në një të ardhme internetin modern. /abcnews.al/