Përhapja e variantit Omicron, Europa vendos kufizime të reja

schedule14:09 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 14:09 - 10 Dhjetor, 2021

Europa është sërish në kthetrat e Covid-19, pas përhapjes së variantit të ri Omicron, i cili u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut. Megjithatë, Delta mbetet për momentin, varianti dominues në Europë, duke llogaritur shumicën e rasteve të reja, shkruan euronews

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi në nëntor se Europa dhe Azia Qendrore mund të përballen me 700,000 vdekje shtesë  nga COVID-19 deri më 1 mars .

Çfarë po ndodh në Europë?

Danimarka

Qeveria daneze njoftoi të mërkurën se nxënësit e shkollave deri në klasën e 10-të duhet të studiojnë online dhe urdhëroi që klubet e natës, baret dhe restorantet të mbyllen në mesnatë në një përpjekje për të parandaluar rritjen e rasteve me COVID-19.

Kryeministrja Mette Frederiksen rekomandoi gjithashtu të mërkurën që njerëzit të punojnë nga shtëpia, ndaloi koncertet me më shumë se 50 njerëz dhe urdhëroi njerëzit të mbajnë maska në ambientet e mbyllura.

Norvegjia

Vendi ka kufizuar grumbullimin e personave deri në 10. Kjo është pjesë e masave të reja të shpallura në fillim të javës nga qeveria, të cilat përfshijnë edhe vendosjen e distancimit social në restorante.  Masat e reja do të zgjasin katër javë.

Autoritetet kanë rekomanduar gjithashtu përdorimin e maskave në transportin publik, në dyqane dhe qendra tregtare. Kushdo që hyn në Norvegji duhet të testohet brenda 24 orëve, qoftë në kufi, në një stacion testimi publik. Nëse një test i shpejtë rezulton pozitiv, një udhëtar duhet të bëjë një test PCR brenda 24 orëve, raporton abcnews.al

Polonia

Polonia pritet të bëjë të detyrueshme vaksinat kundër COVID-19 për punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, policinë, ushtrinë dhe zjarrfikësit. Ministri i Shëndetësisë Adam Niedzielski tha të martën se pas 1 marsit, vaksinimi do të jetë i detyrueshëm në vendet e punës.

Klubet e natës do të mbyllen dhe restorantet dhe teatrot do të funksionojnë me kapacitet të reduktuar nga 15 dhjetori.

Gjermania

Vendi ka marrë masa të reja për të pavaksinuarit, duke i privuar nga askesi në dyqane, restorante dhe mjediset sportive e kulturore jo thelbësore. Të paktën 68.9% e gjermanëve janë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit. Qendra kombëtare e kontrollit raportoi të martën 36,059 raste të reja ditore, nga 45,753 një javë më parë. Shkalla e infeksionit shtatë-ditor ishte 432.2 raste të reja për 100,000 banorë.

Franca

Franca do të mbyllë klubet e natës duke filluar nga premtja për katër javë në një përpjekje për të frenuar rritjen e shpejtë të rasteve. Nga 15 janari, të gjithë të rriturit do të kenë nevojë për një dozë përforcuese të paktën shtatë muaj pasi të jenë vaksinuar plotësisht. Sipas shifrave të publikuara nga agjencia franceze e shëndetit publik, 12,096 pacientë  ishin të shtruar në spital të hënën, duke përfshirë 2,191 në kujdesin intensiv.

Rreth 76.8% e 67.4 milionë banorëve të Francës janë plotësisht të vaksinuar, sipas shifrave të fundit, raporton abcnews.al

Italia

Qeveria italiane më 6 dhjetor vendosi rregulla të reja për personat e pavaksinuar. Vetëm personat që kanë certifikatë vaksinimi ose janë shëruar mund të shkojnë në restorante, në kinema ose të marrin pjesë në ngjarje sportive.

Belgjika

Mijëra njerëz kanë protestuar në kryeqytetin belg ndaj kufizimeve  të COVID-19 të miratuara nga qeveria belge për të parandaluar rritjen e rasteve. Protestat u zhvilluan pasi kryeministri Alexander De Croo njoftoi të premten se kopshtet dhe shkollat ​​fillore do të mbyllen një javë më herët për festat e Krishtlindjeve. Fëmijët duhet të mbajnë maska ​​që nga mosha gjashtë vjeç.

Austria

Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në Austri më 4 dhjetor për të tretën fundjavë radhazi  kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe masave të tjera. Bllokimi i Austrisë do të vazhdojë deri më 11 dhjetor mes shenjave se masat po ndihmojnë në uljen e një niveli të lartë të infektimit me koronavirus.

Dyqanet thelbësore që u lejuan të hapen deri në orën 21:00, do të mbyllen deri në orën 19:00 që nga e enjtja.

Irlanda

Irlanda ashpërsoi masat duke njoftuar se klubet e natës do të mbyllen dhe distanca sociale do të rivendoset në bare, restorante dhe hotele. Masat hynë në fuqi të martën dhe do të zgjasin të paktën deri më 9 janar.

Kapaciteti në ambientet e brendshme dhe sportive, ku maskat tashmë janë të detyrueshme, do të kufizohet në 50%. Tashmë kërkohet një leje shëndetësore për hyrje në ambientet e mbyllura, raporton abcnews.al

Greqia

Greqia ka miratuar vaksinimin për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç nga 15 dhjetori mes një rritjeje të rasteve të COVID-19. Shpërthimi i rasteve nxiti gjithashtu ligjvënësit grekë të miratonin vaksinimin e detyrueshëm ndaj COVID-19 për personat mbi 60 vjeç.

Personat që nuk vaksinohen deri më 16 janar, rrezikojnë të gjobiten me 100 euro për çdo muaj.

Portugalia

Portugalia rivendosi masa më të rrepta, duke bërë të detyrueshme maskat dhe duke forcuar kontrollin në kufijtë e saj. Personat që duhet të hyjnë në bare, restorante duhet të kenë një certifikatë COVID-19. Portugalia ka një shkallë të lartë vaksinimi me rreth 86% të popullsisë së saj të vaksinuar plotësisht kundër virusit.

Spanja

Disa rajone kanë vendosur masa më të rrepta për të pavaksinuarit përpara sezonit të Krishtlindjeve, duke zgjeruar përdorimin e certifikatës COVID-19 për të hyrë në vende publike si bare dhe restorante.

Më shumë se 80% e popullsisë spanjolle tashmë është imunizuar. Që nga mesi i nëntorit, afro 200,000 spanjollë që hezitonin të vaksinoheshin në fillim janë vaksinuar tashmë.

Mbretëria e Bashkuar

Kryeministri Boris Johnson njoftoi të mërkurën se Britania do të “kalojë në planin B” dhe do të rivendosë  udhëzimet për të punuar nga shtëpia duke filluar nga e hëna, si dhe do të bëjë të detyrueshme maskën në ambientet e mbyllura.

Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar kanë këshilluar të gjithë të rriturit të vaksinohen kundër Covid.

Holanda

Holanda ka vendosur kufizime të reja, të cilat hynë në fuqi gjatë fundjavës. Kufizimet përfshijnë mbylljen e të gjitha dyqaneve jo thelbësore, përfshirë baret dhe restorantet nga ora 17:00 deri në 05:00.

Republika Çeke

Republika Çeke ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë 30-ditë. Baret, restorantet, klubet e natës, diskotekat dhe kazinotë do të mbyllen në orën 22:00.

Sllovakia

Sllovakia shpalli  gjendjen e  jashtëzakonshme që do të zgjasë  90-ditë dhe një bllokim dy-javor pas rritjes së  rasteve me COVID-19. Vetëm 45.3% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar.

Rusia

Rusia ka bërë të detyrueshme vaksinat për personat e moshës mbi 60 vjeç. Numri i rasteve ka shënuar rënie ndërsa numri i viktimave vazhdon të shënojë rritje. Rreth 40% e popullsisë janë vaksinuar plotësisht, edhe pse vendi miratoi një vaksinë të zhvilluar në vend për COVID-19 muaj përpara shumicës së botës.

Suedia

Qeveria suedeze ka njoftuar se nga 1 dhjetori do të jetë e nevojshme një certifikatë Covid për të marrë pjesë në çdo ngjarje me më shumë se 100 persona. Gjithashtu personat që nuk janë vaksinuar nuk do të kenë nevojë për një test negativ.

Ukraina

Nga 9 dhjetori, nëpunësit civilë dhe punonjësit socialë të pavaksinuar do të pushohen nga puna, tha qeveria. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi më 16 nëntor  personat që do të marrin dy vaksina do të shpërblehen me rreth 33 euro në një përpjekje për të zbutur hezitimin ndaj vaksinimit.

Zvicra

Zvicra ka rikthyer masën e karantinës për shkak të frikës së variantit Omicron.  Votuesit zviceranë miratuan me një diferencë të qartë të ashtuquajturin ‘ligji COVID-19’ në një referendum të 28 nëntorit. Legjislacioni, i cili tashmë është në fuqi, përfshin një paketë të rimëkëmbjes nga pandemia dhe aplikimin e një certifikate të diskutueshme COVID.

Ashtu si në shumë vende të tjera në Europë, kjo leje shëndetësore lejon vetëm personat që janë vaksinuar, shëruar ose janë negativ të marrin pjesë në ngjarje dhe tubime publike, raporton abcnews.al

Bullgaria

Numri i rasteve ka shënuar rënie në Bullgari pas një rritjeje masive në tetor, por shkalla e vaksinimit është më e ulëta në Europë. Vendi raportoi  2,681 raste të reja dhe 128 viktima në 24 orë..

Rumania

Ashtu si Bullgaria, Rumania është prekur nga një valë vdekjeprurëse në tetor, por rastet tani janë ulur ndjeshëm që nga fillimi i muajit.

Kroacia

Protestuesit u mblodhën në Zagreb gjatë fundjavës kundër kufizimeve të COVID pasi qeveria njoftoi planet për të bërë të detyrueshme certifikatën COVID për punonjësit e qeverisë dhe publikun, përfshirë mësuesit e shkollave.

Vendi prej rreth katër milionë banorësh ka një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit në Bashkimin Europian, me vetëm 53 për qind që kanë marrë të paktën një dozë dhe vetëm 57 për qind janë vaksinuar plotësisht.

Letonia

Duke filluar nga data 15 dhjetor, njerëzit duhet të kenë një certifikatë vaksinimi ose që janë rikuperuar ndaj COVID-19 për të shkuar në punë. Personat që nuk janë vaksinuar ose që nuk janë shëruar nga COVID-19 mund të shkojnë vetëm në dyqane ushqimore, farmaci dhe dyqane të tjera thelbësore.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!