Dje janë bërë nderimet e fundit për mikun e madh të Kosovës, ish senatorin Bob Dole, i cili vdiq të hënën. Në ceremoninë e nderimit bashkë me Presidentin e ShBA’së, Joe Biden, Zonjën e Parë, Jill Biden, ka marrë pjesë edhe biznesmeni shqiptar, Jim Xhema, raporton Express.
Por, kush është Jim Xhema?
Xhema ishte takuar për herë të parë me Dole në vitin 1987, kur Dole ishte udhëheqës i Senatit.
Ai kishte deklaruar se Dole ishte ndër liderët e parë politikë amerikanë që tërhoqi vëmendjen për atë që po ndodhte në Kosovë.
Xhema kishte shkruar edhe një letër mirënjohje për senatorin, me rastin e ditëlindjes së tij të 98.
“Në ditëlindjen e 98-të të senatorit Dole – 22 korrik 2021 – kujtojmë dhe vlerësojmë lartë përpjekjet e tij kritike për të parandaluar agresionin serb, duke i dhënë drejtim ndërtimit të paqes dhe pavarësisë për Kosovën si një shtet sovran. Janë tri veprime konkrete të cilat e bëjnë të veçantë kontributin e tij për 30 vjet, sa ka shërbyer si Senator i SHBA-ve dhe Drejtues i Shumicës”, thuhet në letrën e tij.
Ndryshe, ish-senatori amerikan, Bob Dole, i cili vdiq në moshën 98-vjeçare, një pjesë të karrierës së tij ia kushtoi Kosovës dhe rrugës së saj drejt pavarësisë.
Ish-senatori amerikan, Bob Dole, veteran i Luftës së Dytë Botërore, vdiq më 5 dhjetor, në moshën 98-vjeçare.
I plagosur rëndë në luftë, Dole arriti të bëhej një nga personalitetet më të njohura të politikës amerikane. Ai shërbeu 36 vjet në Kongres. Ishte udhëheqës i Senatit dhe kandidat i Partisë Republikane për president.
Dole u angazhua aktivisht në çështjen e Kosovës dhe në procesin që çoi çlirimin dhe pavarësinë e saj.
Në gusht të vitit 1990, bashkë me gjashtë senator të tjerë, ai udhëtoi në Kosovë për të takuar përfaqësuesit e atëhershëm të shqiptarëve.
Kosova ishte nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit, me autonomi të suprimuar dhe nën gjendje të jashtëzakonshme, të vënë nga autoritetet në Beograd. Vizita e delegacionit amerikan ishte e para e tillë në Kosovë.
Mijëra shqiptarë, që kundërshtonin sundimin e Serbisë, u mblodhën jashtë hotelit ku do të qëndronin senatorët në Prishtinë, duke thirrur: “Liri”.
Protesta u shtyp nga njësitë e policisë me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Mesazhi i senatorit Dole ishte i qartë: Ne besojmë fuqishëm në demokraci, besojmë në liritë individuale dhe kundërshtojmë shkeljet e të drejtave të njeriut.
Në shtator të vitit 1998, Dole u kthye në Kosovë me një mission fakt-mbledhës, kohë kjo kur represioni i regjimit serb kundër shqiptarëve tashmë ishte intensifikuar.
“Edhe pse kemi parë disa raporte në television, është më keq seç kam pritur. Është e vështirë të besohet se njeriu mund t’ia bëjë këtë njeriut. Por, kjo ka ndodhur dhe duhet të marrë fund”, kishte deklaruar Dole.
Pas kthimit në Washington, Dole i bëri thirrje administratës së presidentit Bill Clinton që të veprojë, duke thënë se Serbia “është e angazhuar në sulme të mëdha dhe sistematike kundër popullit dhe territorit të Kosovës.
Në një artikull për gazetën Ëashington Post, më 14 shtator, 1998, Dole shkroi: Zyrtarët amerikanë janë zotuar se nuk do të lejojnë që krimet kundër njerëzimit, që kemi parë në Bosnjë, të përsëriten në Kosovë. Nga sa kam parë unë, krime të tilla tashmë po ndodhin”.
Në shkurt të vitit 1999, Dole bëri të ditur se ishte angazhuar nga administrata e presidentit Clinton për të ndihmuar në negocimin e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën.
“Më është kërkuar të ndihmoj. Mendoj se jam mik i shqiptarëve, mendoj se ata më besojnë dhe jam përpjekur të siguroj që Kongresi do t’i mbështesë përpjekjet e tyre… “, kishte deklaruar Dole.
Përpjekjet diplomatike, megjithatë, dështuan. Serbia refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të negociuar në Rambuje të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Më 24 mars të vitit 1999, NATO’ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe. Sulmet ajrore, që zgjatën 78 ditë, i dhanë fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Më pak se një muaj më vonë, Dole vizitoi Kosovën, e cila nga lufta kishte dalë më mbi 10 mijë veta të vrarë, mbi 800 mijë të zhvendosur dhe mbi 5 mijë të zhdukur.
“Kam ardhur këtu për gati dhjetë vjet, kështu që i njoh mjaft mirë problemet dhe i njoh kosovarët. Ata janë njerëz të mirë dhe shumë të lumtur që kanë pak liri. Do të bëhet më mirë”, kishte thënë Dole.
Më 30 gusht të vitit 2020, në një rrugë me emrin e ish-senatorit Bob Dole në Prishtinë u ngrit edhe busti i tij.
Në atë ditë, që shënonte edhe 30-vjetorin e vizitës së tij të parë në Kosovë, Dole shkroi në Tëitter:
“Tridhjetë vjet më parë, unë dhe kolegët e mi kemi udhëtuar për herë të parë në Prishtinë. Askush nga ne nuk mund ta dinte se ky do të ishte fillimi i një rrugëtimi drejt pavarësisë për popullin e Kosovës.”
Postimin e fundit për Kosovën-shtet i pavarur qysh në vitin 2008- Dole e bëri pesë ditë para se të vdiste, teksa paralajmëroi një program të Institutit Dole për historinë e Kosovës.
“Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e Bekoftë Kosovën”, shkroi ai.
Dole ishte “një burrështetas si pak të tjerë në historinë tonë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden.
Dole vdiq dhjetë muaj pasi bëri të ditur se ishte diagnostifikuar me kancer në mushkëri./Gazeta Express