Nga Edi Oga
Kam mjaft miq që emrin e mesit mund ta kishin “demokrat”. Partinë Demokratike e kanë pjesë të shpirtit dhe motiv jete. Aq të lidhur janë me të, sa në tetë vite e ca opozitë, nuk i kam dëgjuar të ankohen asnjëherë, por kanë bërë punët e tyre politike shpresëplotë që pas tetë vitesh me Ramën kryeministër, Partia Demokratike do të vinte në pushtet.
Humbja në zgjedhje ishte zhgënjim i madh për ta, por asnjë fjalë të rëndë për Lulzim Bashën, e gjithë “urrejtja” e tyre ishte e drejtuar ndaj “masakruesit zgjedhor”!
Të gjithë ata votuan pa asnjë hezitim për Bashën kryetar partie. Sepse e mbështeste Berisha.
Pas 9 Shtatorit, atyre iu është shëmbur Bota mbi kokë!
Njërin prej tyre e kam shumë shok. E shoh realisht të pikëlluar.
“Më duket sikur po më divorcohen prindërit dhe unë jam fëmija i madh. Të vegjëlit kanë shkuar një me mamin një me babin, por unë nuk zgjedh dot, se unë jam i rritur, jam i pjekur. E kuptoj mirë që sido që të shkojë kjo histori, ne fëmijët vetëm halle kemi për të pasur”!
M’u duk shumë e goditur kjo metaforë e sinqertë e shokut tim dhe më erdhi keq për të. Për të dhe për veten time, sepse edhe unë dua të kem një alternativë të pushtetit aktual. Unë që bashkë me shokun tim demokrat, kur ishim maturantë përkrahëm lëvizjet studentore për liri, demokraci, pluralizëm politik dhe Shqipërinë si gjithë Evropa!
Nuk është e vërtetë që vetëm demokratët po kalojnë orë tensioni.
Kushdo që ka mend në kokë, e kupton se kjo ngjarje është madhore për të ardhmen e çdo shqiptari! Në pamundësi për të ndikuar, të gjithë shpresojmë që ata që kanë gjëra në dorë, t’i bëjnë ato me mend në kokë!
U bëftë më e mira!
/abcnews.al