Çmimet e lëndëve të para u rritën me 2.4 % kostot në ndërtim në 3-mujorin e tretë

schedule07:18 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 07:18 - 7 Dhjetor, 2021

Kostot në sektorin e ndërtimit u rritën në nivelin më të lartë të dekadës në tremujorin e tretë, kryesisht prej rritjes së çmimeve në lëndët e para. INSTAT raportoi se indeksi i Kushtimit në Ndërtim (INK), në tremujorin e tretë 2021 arriti 102,1 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e tretë 2021 është 2,2 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0,2 %.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale” me 2,9 %, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 2,4 %, “Shpenzime për paga” me 2,1 %, “Shpenzime transporti” me 2,0 %, “Shpenzime makinerie” dhe “Shpenzime energjie” me 1,4 % secili. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale ndërtimi” shënoi rritjen më të lartë me 3,0 %.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim  mat koston e ndërtimit në banesa duke monitoruar ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate).

Tremujori i katërt i vitit 2020 shërben si periudhë bazë për llogaritjen e indeksit (tremujori i katërt 2020=100). Shporta e re përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi. Çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 217 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, të dhënat për shpenzimet për pagat, makineritë dhe transportin merren nga 85 ndërmarrje të mëdha ndërtimi të përqendruara kryesisht në rrethin e Tiranës.

Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka ushtruar presion në rritjen e kostove në sektorin e prodhimit. Kostot e tjera prodhuese kanë kaluar në një tendencë zgjeruese pas disa tremujorësh tkurrjeje në terma vjetorë. Banka  e Shqipërisë njoftoi se çmimet e prodhimit industrial u rritën me 1.6% dhe çmimet për tregun vendas u zgjeruan me 1.4%. Çmimet e prodhimit për eksport u përshpejtuan në 4.0%. Për të njëjtin tremujor, sipas indeksit të Kushtimit në Ndërtim (IKN), kostot e prodhimit në sektorin e ndërtimit shënuan një rritje vjetore prej 1.3% në tremujorin e dytë, normë kjo e përshpejtuar krahasuar me tremujorin paraardhës.

Ndërtimi ishte një nga aktivitetet që u ndikua më pak nga kriza e pandemisë, teksa sektori rezidencial përfitoi dhe nga lulëzimi i pazakontë i shitjeve të pasurive të paluajtshme, që udhëhoqi performancën ekonomike në vitin 2020.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2019, ishte rreth 147 miliardë lekë (1.2 miliardë euro), pas tkurrjes në 2019-n. Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit zgjerues, ndonëse me ritme më të ulëta se në periudhën e mëparshme. /Monitor