Angela Merkel largohet, po çfarë do të bëjë ajo në të ardhmen?

schedule13:24 - 2 Dhjetor, 2021

schedule 13:24 - 2 Dhjetor, 2021

Angela Merkel largohet nga skena politike. Me një ceremoni ushtarake festive në Berlin ajo nderohet të enjten në mbrëmje para largimit nga detyra. Po si do ta kalojë Merkel kohën pas 16 vitesh si kancelare?

vAngela Merkelit i pëlqen të gatuajë supë me patate dhe kek me kumbulla. Gjellë tipike gjermane për stinën e vjeshtës, që ajo ndoshta nuk pati kohë këto javë t’i gatuajë. Pas zgjedhjeve të 26 shtatorit ajo qëndroi kancelare në detyrë, siç është zakon në Gjermani derisa të formohet qeveria e re.

Gjatë dekadave të fundit formimi i qeverisë dhe zgjedhja e kancelarëve është bërë mesatarisht pesë deri në gjashtë javë pas zgjedhjeve. Por në vitin 2017 u deshën pesë muaj e gjysmë deri se të krijohej koalicioni i ri qeverisës Angela Merkel nuk e theu për pak ditë rekordin e Helmut Kohlit, mandati i të cilit përfundoi në vitin 1998 pas 5870 ditësh në post. Për të thyer këtë rekord Merkelit do t’i duhet të qëndrojë në detyrë deri më 17 dhjetor 2021. Por javën e ardhshme e merr detyrën qeveria e re.

Merkel nderohet të enjten në mbrëmje (02.12.)me nderimin më të lartë, një ceremoni ushtarake festive në Berlin, ku merr pjesë edhe presidenti, Steinmeier. Është traditë në Gjermani që gjatë ceremonisë luhen tre këngë. Kancelarja Merkel ka shprehur dëshirën për një këngë kishe, “Zot i madh të nderojmë”, një këngë mhaft të njohur të Hildegard Knef, “Për mua të bjerë shi trëndafilash të kuq” dhe një këngë kult të RDGJ-së, që ende sot e njohin gjermanolindorët, këngën e Nina Hagenit, shkruar në 1974-në RDGj, “Ke harruar filmin me ngjyra”.

Fillimisht pushim

Gjatë një vizite në korrik në Uashington, ku iu dha një doktoratë nderi nga Universiteti Johns Hopkins, Angela Merkel tha se pasi të dalë në pension do të bëjë fillimisht pushim dhe nuk do të pranonjë asnjë ftesë. Gjatë kësaj kohe tha ajo “dëshiroj të mendoj për gjërat që vërtet më interesojnë” dhe për të cilat ka pasur pak kohë gjatë 16 viteve të fundit. Me një buzëqeshje të djallëzuar, kancelarja tha: “do të lexoj, kur të më mbyllen sytë se jam e lodhur do të fle pak, pastaj kur të zgjohem të shohim se ç’do të bëj”.

15,000 euro pension në muaj

Angela Merkel mbushi më 17 korrik 67 vjeç. Nga pikëpamja financiare ajo nuk ka pse ta vrasë mendjen. Si kancelare ajo fiton aktualisht 25,000 euro në muaj, plus rreth 10,000 euro si anëtare e Bundestagut, anëtare e të cilit është prej më shumë se 30 vjetësh. Kur Merkel të ndalojë së punuari, ajo fillimisht do të vazhdojë të marrë këtë rrogë edhe për tre muaj dhe më pas gjysmën për maksimalisht 21 muaj.

Pensioni i Angela Merkelit do të jetë rreth 15,000 euro në muaj. Deri në fund të jetës së saj ajo ka gjithashtu të drejtë për bodygard, një makinë shërbimi me shofer, një zyrë në ambientet e Bundestagut në Berlin dhe një staft të përbërë nga dy referentë, një sekretare dhe një daktilografist.

Një karrierë e dytë nuk përjashtohet

Kancelarët apo anëtarët e qeverive janë të preferuar si konsulentë si dhe për shkak të kontakteve të tyre të mëdha politike. Disa nga paraardhësit e Angela Merkelit nisën pas daljes në pension biznese. Helmut Schmidt u bë në vitin 1982 botues i gazetës javore “Die Zeit” dhe mbante fjalime për të cilat merrte honorare të majme. Në një intervistë në vitin 2012 ai tha se “e kam si rregull që nuk mbaj fjalime për një honorar më pak se 15,000 dollarë.”

Ish-kancelarët Helmut Kohl dhe Gerhard Schröder u treguan më të zotët se sa Helmut Schmidt-i për ta shndërruar të kaluarën dhe famën e tyre politike në burim fitimi. Kohl themeloi një kompani për konsulencë për politikë dhe strategji, me të cilën fitonte shumë mirë si lobist dhe konsulent.

Kurse Gerhard Schröder shkaktoi shumë zhurmë kur në vitin 2005, vetëm disa muaj pasi u largua nga posti i kancelarit, nisi të punonte për kompaninë Nord Stream, degë e Gazpromit rus, për të cilën ishte angazhuar fort gjatë kohës që ishte kancelar.

Angela Merkel nuk është shprehur deri tani nëse po kërkon një punë të re apo ndonjë post honorifik? Me sa duket fillimisht ajo do të qëndrojë në Berlin, ku do të qëndrojë i shoqi, Joachim Sauer. 72-vjeçari edhe pse ka dalë në pension si profesor në Universitetin Humboldt të Berlinit, e ka zgjatur kontratën e tij studimore për kimi kuantike një herë për një herë deri në vitin 2022./DW