Gjykata e Apelit të Selanikut ka lehtësuar 12 gardianët e burgurt të Nigritës të dënuar më herët me nga 5 deri 7 vite burg për vrasje përmes torturës së të burgosurit shqiptar Ilia Kareli. Vendimi është marrë mesditën e sotme sipas mediave greke, ku gjykata i ka gjetur ata fajtorë për ngjarjen, por të gjithë do të bëjnë nga 3 vite burg.
Gjykata vendosi kështu duke marrë parasysh raportet e administratës së burgut për sjellje të mirë të gardianëve të dënuar, gjë që bëri që ajo të prishte vendimet nga nga 5 deri 7 vite burg për secilin prej tyre pasi u gjetën fajtorë për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli, raporton abcnews.al.
Një i dënuar i 13, pikërisht roja i jashtëm i burgut, i dënuar më herët me tre vite burg, tani thjesht do të jetë i pezulluar nga puna me akuzën e “cënimit të dinjitetit të administratës së burgjeve”.
Ilia Kareli vdiq në burgun e Nigritës në Greqi në mars të vitit 2014 pasi ishte transferuar atje nga Malandrino.
Kamerat e sigurisë fiksuan gjithçka bënë gardianët e burgut, të cilët përmes torturave i shkaktuan vdekjen shqiptarit të dënuar. Pamjet shkaktuan reagime të forta në Shqipëri, megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për Apelin e Selanikut që t’i marrë me të mirë gardianët torturues deri në vdekje duke i bërë ata që të gëzojnë lirinë shumë shpejt.
Ky është rasti i radhës ku drejtësia greke operon me standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve, pasi ka qindra të dënuar shqiptarë që po bëjnë nga 15-20 vite burg në Greqi vetëm se janë kapur me disa gram lëndë narkotike në makina apo trup, ndërkohë që 12 persona, të vërtetuar se ishin fajtorë për tortura deri në vdekje të një të burgosuri, të fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë, mëshirohen me vetëm 3 vite burg. /abcnews.al