Prokuroria ka mbyllur hetimet për 27 vjeçarin Enea Ftoi që humbi jetën në Komisariatin e Korçës. Sipas prokurores së çështjes Oli Visi policia nuk ka ushtruar dhunë mbi Enea Ftoin por 27 vjeçari ka gjetur vdekjen për shkaqe natyrore. Ndërsa familjarët parajamërojnë vetëgjyqesi pas vendimit të Prokurorisë.
Pas tetë muaj hetimesh për vdekjen ne ambjentet e Komisariatit të Korçës të Enea Ftoit, Prokuroria vendosi pushimin e çështjes. Për prokuroren Oli Visi,e cila mori në dorë hetimin e dosjes, pas shkarkimit nga Vetingu të prokurorit Elsjon Sadikaj, fakti nuk përbën vepër penale dhe për këtë shkak i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pushimin e çështjes.
Për vdekjen e 27 vjeçarit në dhomat e shoqërimit, Prokuroria rregjistroi kallëzim penal, për tre efektive të Komisariatit me akuzën e mosdhënies së ndihmës, por pas hetimeve, organi i akuzes i ka shkarkuar nga përgjegjësia penale, duke i konsideruar të ligjshme veprimet e tyre.
Nga dëshmitë e efektiveve të Komisariatit, por edhe disa personave të shoqeruar, nuk ka rezultuar që ndaj Enea Ftoit, ashtu siç kanë pretenduar familjarët, të jetë ushtruar dhunë. Ndërsa dy ekspertimet mjeko-ligjorë nxorrën se 27 vjeçari ka vdekur si pasojë e një ishemie akute të miokardit. Pas vendimit të Prokurorisë reaguan edhe familjarët.
Prindërit e 27 vjeçarit akuzojnë policinë e Korçës për fshehjen e provave dhe paralajmerojne vetëgjyqësi.
Guri Ftoi: “Ja ku është origjinali. Shikoni këto foto se ka shenja. Këtu janë të tërë mashtruesa të tërë kriminela. Shikoni dhe këto këtu. Pa u bërë operim djali janë këto foto. Sikundër ma bënë djalin tim ashtu do t’i bëj edhe unë këta. Do e humbas jetën time. Ata më vranë një do vritem edhe unë”.
27 vjeçari Enea Ftoi u gjet i pajetë n ambjentet e Komisariatit të Korçës në Maj të vitit të kaluar, ku ishte ndaluar pas një grabitje./abcnews.al