Debati për “Ballkanin e Hapur”, Rama: Shqipëria dhe Kosova trup i vetëm, shqiponjë me dy koka

schedule12:26 - 26 Nëntor, 2021

schedule 12:26 - 26 Nëntor, 2021

E vetmja gjë që ndan Shqipërinë me Kosovën është qëndrimi për nismën Ballkani i Hapur, që Prishtina ndryshe nga Tirana nuk pranon që t’i bashkohet. Edi Rama u shpreh sot nga Elbasani ku u mbajt mbledhja e përbashkët e dy qeverive se kjo nuk i pengon dy shtetet që të intensifikojnë bashkëpunimin.

Mendimi i Shqipërisë, mendimi i kësaj qeverie, dhe i imi lidhur me Kosovën dhe Serbinë nuk është as sekret dhe as i panjohur. Unë e kam shprehur që në krye të herës edhe në mes të Beogradit. Në këtë pikë, nuk ka asnjë dilemë.

Përsa i përket Ballkanit të Hapur, kemi sigurisht dy qasje të ndryshme, por nga ana tjetër duhet edhe ju edhe të gjithë të mësohen me faktin që të mund të mendojmë njëlloj për të gjitha gjërat, por të mos na pengojë të bëjmë gjërat e duhura në funksion të së ardhmes së dy vendeve.

Këto opinione të ndryshme për Ballkanin e Hapur nuk përbëjnë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh. Nëse më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka nga ana tjetër, por trupi qëndron drejt.

Që do të thotë që shqiponja është krejtësisht e informuar në 360 gradë. Prandaj mos keni asnjë dyshim që shqiponja me dy koka rrezikon të kapet në befasi nga njëra anë apo tjera, pasi i kontrollon me sy të dyja anët. Mendoj se është një vlerë e shtuar në këtë rast në këtë periudhë të historisë sonë, që jemi një shqiponjë me dy koka.

Kur të vijë dita që të kemi shqiponjë me një kokë rreziku është që të kafshojmë veten më shumë sesa sot që nuk e kemi këtë luks as këtë qëllim. Kështu që personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona. Për Ballkanin e Hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që mes meje dhe Albinit debatet të jenë të mbyllura të gjitha, sepse i bie që ne të ndryshojmë emrat dhe të mos jemi ata që jemi” tha Rama.

Pak ditë më parë i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin u shpreh se nisma do të ketë sukses vetëm nëse pjesë bëhen gjashtë vendet dhe jo vetëm tre që janë deri tani./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!