Dy shpërthime janë verifikuar të dielën në Siri, njëri prej të cilëve ka lënë tre viktima. Pas hetimeve paraprake, autoritetet dyshojnë se atentatet kishin si objektiv forcat e sigurisë.
Një shpërthim i ndodhur mëngjesin e së dielës ka tronditur periferinë jugore të Damaskut, në Siri. Një person u arrestua në lidhje me atentatin, që për fat të mirë nuk la njeri të plagosur. Sipas agjencisë së lajmeve “SANA”, ekspertët e forcave të armatosura bënë një shpërthim të kontrolluar të eksplozivit të gjetur. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup që monitoron luftën me bazë në Londër, bëri me dije se shpërthimi ndodhi pranë një postoblloku të forcave të sigurisë. Ndërkohë, një tjetër bombë shpërtheu po të dielën në qytetin veri-perëndimor të Afrinit duke vrarë 3 persona dhe plagosur 20 të tjerë. Shpërthimi ndodhi ditën e përvjetorit të operacionit “Dega e Ullirit”, i nisur nga ushtria turke në vitin 2018 në qytetin me shumicë kurde, për të goditur milicinë lokale, të cilën e konsideron njësi terroriste. Lufta 8-vjeçare në Siri u ka marrë jetën disa qindra mijëra njerëzve, ndërsa ka detyruar një pjesë të mirë të popullsisë të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të dhunës. Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, ushtria e presidentit Bashar al Assad ka arritur të mposhtë rebelët dhe Shtetin Islamik, duke marrë nën kontroll zona të shumta të vendit./abcnews.al