Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Thomas West, do të shkojë në Doha të Katarit, javën e ardhshme për takime me udhëheqësit talebanë, tha Departamenti i Shtetit. Zoti West i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për krizën humanitare në Afganistan.
Gjendja është shumë e rëndë në shumë pjesë të Afganistani, ku Pogrami Botëror i Ushqimit, një organizatë ndihmash e OKB-së, thotë se pothuajse 24 milionë njerëz, ose 60% e popullsisë, vuajnë nga uria akute.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Përfaqësuesi Special, Tom West do të diskutojë çështje me interes jetik kombëtar për Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë çështjet e kundërterrorizmit dhe ndihmat humanitare, në takimet me udhëheqësit talebanë në Doha të Katarit.
Në një intervistë ekskluzive me Zërin e Amerikës të martën, zoti West tha se përkeqësimi i krizës humanitare në Afganistan ka të bëjë shumë me bllokimin e ndihmës ndërkombëtare. Ekonomia afgane varej nga kjo ndihmë në një masë të madhe gjatë 20 viteve të fundit.
“Rreth 75% e shpenzimeve publike të ish-qeverisë afgane ishin të financuara nga donatorët e huaj; rreth 40% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit financohej nga donatorët e huaj. Gjatë bisedimeve me talebanët në vitet e fundit, ku morën pjesë edhe aleatët dhe partnerët tanë, ne ua bëmë të qartë atyre se nëse ata zgjidhnin rrugën ushtarake për marrjen e pushtetit, ndihmat do të ndaleshin dhe kjo është ajo që ka ndodhur”, tha i përfaqësuesi special amerikan për Afganistanin.
Javën e kaluar, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të talebanëve i bëri thirrje Kongresit amerikan që të zhbllokojë pasuritë afgane të bllokuara pas rënies së Afganistanit në duart e talebanëve. Ai tha se mjerimi ekonomik në vend mund të nxisë një eksod masiv dhe mund të shkaktojë probleme refugjatësh për vendet e tjera. Diplomati West tha se nuk është aq e thjeshtë, siç mund mendojnë talebanët, për të marrë përsëri ndihmat që tashmë janë të bllokuara në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
“Ka arsye ligjore shumë të komplikuara, si dhe arsye gjyqësore, për mos lëvizjen e atyre parave nga banka të veçanta në vende të tjera”, tha ai.
Ka patur përparim të kufizuar në disa rajone të Afganistanit drejt plotësimit të kërkesave të Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar nga talebanët për respektimin e të drejtave të njeriut dhe atyre të grave. Shkollat për vajzat nga klasa 7 deri në të 12 janë rihapur në qytetin e tretë më të madh të Afganistanit, Herat./VOA