Veliaj: Pas korsive të biçikletave, korsi të dedikuara për autobusët

schedule14:46 - 20 Janar, 2019

schedule 14:46 - 20 Janar, 2019

Rruga e Kavajës në kryeqyet pas ndërtimit të korsive të biçikletave, do të pësojë transfomim edhe tek trotuaret e këmbësorëve. Bashkia Tiranë bën me dije se së shpejti edhe autobusët do të kenë korsitë e tyre të dedikuara.

Pas rehabilitimit të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve dhe ndërtimit të korsive të dedikuara për biçikletat, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e trotuareve të rinj te Rruga e Kavajës. Kryebashkiaku Erion Veliaj teksa inspektoi punimet tha se rikonstruksioni i trotuareve zgjidh problemin e zaptimit të korsive të biçikletave.

Erion Veliaj: Është një qytet që po i përqafon biçikletat, shumë të rinj po hipin mbi dyrrotakë dhe kjo është e ardhmja. Do t’u kërkoj banorëve që, me të mbaruar investimin e trotuareve cilësore tek rruga e Kavajës, të lirohet aksi qendror ekskluzivisht për biçikleta, dhe pastaj të gjithë këmbësorët të përdorin dy trotuaret anësorë.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ky investim te Rruga e Kavajës do t’i rezistojë edhe kohës.

Erion Veliaj: Jam shumë i lumtur që i kemi hyrë me themel, fillimisht me tubacionet e Ujësjellës-Kanalizimeve. Kanë qenë të gizës, të kohës së ‘xhaxhit’, shumë të amortizuara dhe të tejkaluara. Por, tani që rrjeti i ujësjellësit është vendosur, jam shumë i kënaqur që po vazhdojmë edhe me hapësirat pedonale në të dyja trotuaret.

Bashkia e Tiranës kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në përfundimin e punimeve, duke nënvizuar se 2019-a do të jetë një vit aksioni për të bërë një qytet të aksesueshëm për të gjithë./abcnews.al