Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme për seancën e padisë së bërë kundrejt kryebashkiakut së Tiranës, Erion Veliaj për shpifje. Dy palët refuzuan në seancat e kaluara pajtim. Sipas selisë blu, kreu i PD ka shkuar në seancë për të shmangur pezullimin e çështjes pas ndryshimit të gjyqtares, duke treguar kështu “vullnetin për ta çuar deri në fund përballjen me Erion Veliaj, të cilin e akuzon për shpifje”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj reagoi duke u shprehur se halli i vetëm i Bashës është që të sqarojë në gjyq nëse ka katër apo pesë vila. “Përpara se të flisja më shkroi një gazetar e më pyeti: Nuk je te ky gjyqi për vilat e katërta dhe të pesta të Lul Bashës?
I thashë: Nuk kam kohë unë për këtë punë. Unë dhe Beni merremi të bëjmë shtëpitë për njerëzit. Se ka katër apo ka pesë Lul Basha të shkojë ta sqarojë në gjykatë se nuk kemi kohë për të humbur. Këta kanë vetëm hallin e tyre. Luli u çua sot dhe e vetmja gjë që kishte në axhendë është të sqarojë në gjykatë ka katër apo pesë vila. Për këtë jemi në gjyq. Shih çfarë hallesh kanë këta.
Këta zihen për foltoren, për sondazhe se kë mbështesin më shumë, Saliun e lodhur apo Lulin e përgjumur? Këta nuk kanë lidhje fare me realitetin tonë. Këta për kalamajtë tanë nuk duan t’ia dinë. Këta nuk dua t’ia dinë fare, sepse e kishin këtë bashki, e kishin këtë qendër dhe nuk u dukën njëherë” tha ai.
4 muaj më parë, Gjykata e Lartë njoftoi se GJKKO është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një zyrtarëve të lartë./ Abcnews.al