Politika në ABC News na sjell këtë javë përllogaritjet e aktorëve kryesorë politikë në vend, më pak se 6 muaj nga zgjedhjet vendore. Edi Rama po përpiqet të ketë studentët në krah, ndërsa Lulzim Basha shpalli protestat popullore, e një objektiv të dytë, sa të njohur, aq edhe të diskutueshëm.
Një lëvizje që Lulzim Bashës i artikulohej prej kohësh, e që ishte zbehur, pasi u rikthye pas 6 muajsh në Kuvend funddhjetorin e kaluar, në prag të skadimit të mandateve parlamentare. Direkt e indirekt Lulzim Basha po mbështet prej javësh kundërshtarët e veprimeve të kryeministrit, e këta sa vinë e shtohen publikisht. Përveç studentëve, institucioni më i lartë në vend ka frenuar fuqinë e Kryeministrin. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti nuk po e hedh lehtë firmën në dekretet e ministrave të propozuar nga Kryeministri. Ky i fundit një konflikt ka hapur edhe me VOA-n, median me eksperiencë 75-vjeçare, që financohet nga Kongresi amerikan. Ç’ka bie në sy është se Edi Rama ka ulur ndjeshëm daljet e angazhimin publik.
Çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
I kërkoi parlamentit të mblidhej një javë para kohe, me atë që u quajt session i jashtëzakonshëm, me një pikë në rendin e ditës, miratimin e dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave të rinj, përveç ministrit të Jashtëm, i padekretuar nga kreu i shtetit. Opozita në konferencën e kryetarëve që miratoi mbajtjen e seancës, u duk e gatshme për të vijuar qëndrimin në parlament, pavarësisht se seancën e quajti të panevojshme.
Por kthimi në parlament nuk u duk i lehtë as këtë fillim viti. Shkuan me plan në seancën që kishte vetëm një pikë në axhendë, votimin e dekreteve për ministrat. Ishin depozituar emrat e të gjithë deputetëve të PD e LSI për të folur mbi qeverisjen e vendit. Por mazhoranca i kishte marrë masat të mos e lejonte zbatimin e asaj strategjie. Nenit 48 të rregullores së Kuvendit, që parashikon kohë diskutimi për programin politik e përbërjen e Kryeministrit, që paraqiti opozita, mazhoranca e kishte parashikuar e kishte bërë kërkimet e saj.
Protestat do nisin së shpejti, një vendim i Këshillit të ri Kombëtar që zgjodhi edhe strukturat e reja drejtuese të shtunën e javës politike që lamë pas. Për 4 vitet e ardhshme, Lulzim Basha do ketë në krah një kryesi më të vogël me 15 anëtarë të zgjedhur, e të tjerë pjesë sipas statutit. Votëbesoi dy nënkryetarët, Spaho e Paloka, por rifreskoi sekretariatin, duke nisur nga sekretari i përgjithshëm e sekretarët funksionalë. Ndërsa për herë të parë Këshilli Kombëtar do ketë një kryetar e Basha ka përzgjedhur ish-Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Edhe javën politike që lamë pas, opozita e shijoi edhe përplasjen aspak institucionale mes Presidentit e Kryeministrit, me refuzimin e emrit të Gent Cakajt. Me këmbënguljen për të mos propozuar tjetër emër në atë post përvec 28-vjeçarit, Edi Rama vendosi ta merrte përsipër vetë përkohësisht, edhe atë detyrë. Ndërsa kjo betejë vazhdonte, sa në mediat tradicionale, në ato sociale, erdhi një lëvizje e papritur. Ish-Kryeministri Berisha njoftoi se Klement Balili, ish-drejtori i LSI në Sarandë, prej dy vitesh në arrati, më akuzën për trafik ndërkombëtar droge, i emërtuar nga mediat greke si Eskobari i Ballkanit, ishte vetëdorëzuar. Pas një konfuzioni të parë të mediave e institucioneve që u përballën me interesimin e tyre, ishte Rama që konfirmoi se Balili ishte në prangat e policisë.
Në këtë panoramë, tensioni mes Presidentit e Kryeministrit u lexua fort tek betimi i 7 ministrave e i zv/Kryeministrit. Edi Rama, dekreti për të cilin ishte pezull në momentin e betimit, nuk shkoi në ceremoni, ndërsa mazhoranca u përfaqësua me nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi. Ndryshe nga tradita protokollare e kësaj ceremonie, asnjë nga ministrat e as zv/kryeministri nuk bëri ndalesën për foton zyrtare me presidentin, pas marrjes së dekretit. Kjo dukej diçka e dakordësuar mes palëve, e zëvendësuar për të mos rënë në sy, nga një gjest familjariteti nga kreu i. E të nesërmen Ilir Meta e dekretoi shkarkimin e Bushatit e emërimin e ramës si ministër i Jashtëm, edhe pse për Kryeministrin kjo do jetë një detyrë provizore.
U kuptua edhe arsyeja e tërheqjes publike të Kryeministrit. Shkak kishin qenë përgatitjet për të paraqitur para studentëve Paktin për Universitetit. Kishte mbledhur studentë të ekselencës nga i gjithë vendi si dhe pedagogë-drejtues universitetesh, për t’u paraqitur një dokument 30 faqesh, që sipas tij përmbushte kërkesat e studentëve. U vuri përballë ministren e re të arsimit, e në sallë mes studentëve ishte vetë, e në radhë me të edhe ministrat e tjerë që do kenë në patronazh fakultete të ndryshme. U paraqit në krahun e studentëve e përballë pedagogëve, të cilëve u kaloi përgjegjësi.
Po shfaqet i pashqetësuar nga protesta e shpallur nga opozita, ndërsa me të e presidentin, do haset sërish më 21 Janar, në nisjen zyrtare e sesionit të ri, ku do votohet edhe dekreti për shkarkimin e Bushatit, e emërimin e tij edhe si ministër i Jashtëm. Ndërkaq i zgjedhuri i tij Gent Cakaj, pritet të jetë sërish shënjestër publike, pas kërkesës së Presidentit e opozitës, për ngritjen e një komisioni hetimor mbi DSIK, që i dha Cakajt një certifikatë sigurie për 24 orë.
Opozita do kërkojë zyrtarisht edhe shtyrjen e komisionit hetimor Tahiri, i iniciuar prej saj. Ndërsa në tryezë janë edhe dy ligjet e kthyera nga Presidenti për noterinë e kadastrën. Axhenda e këtij viti të ri politik duket e ngjeshur, e zgjedhjet vendore janë pak më shumë se 5 muaj larg. Strategjia e Bashës e miratuar në Këshilli Kombëtar përmban dy momente: përveç vendimit të shpallur më herët, të organizimit të protestave për largimin e qeverisë Rama, momenti i dytë i ngjan një déjà vu-je të Majit 2017.
A do vijë një rezultat ndryshe me një taktikë të përdorur edhe më herët? Kjo mbetet për t’u parë!/abcnews.al