Lushnja u trondit ditën e djeshme ku një 13-vjeçar i dha fund jetës duke u vetëvarur. Kanë qenë prindërit e tij që e kanë gjetur të varur në banesë dhe në përpjekje për ta shpëtuar e kanë dërguar në spitalin e Lushnjes, por atje ka mbërritur pa shenja jeta. Dyshohet se i mitur e ka ndërmarrë aktin ekstrem në tentativë për të kryer video në “Tik Tok”.
E ftuar në “Radari Informativ” në ABC psikologia Ornela Belba u shpreh se janë nxënësit e klasës së shtatë dhe tetë ata që në pjesën më të madhe e përdorin këtë platformë. Ajo u shpreh se shkolla e vetme nuk mund ta bëjë të gjithë punën ndërsa shtoi se një bashkëpunim me familjet e nxënësve është i nevojshëm.
“Takimet kanë filluar, janë me prindërit një herë në muaj. Sot çdo shkollë ka një psikolog dhe një punonjëse sociale. Ndoshta do të na duhej edhe një oficer sigurie, jo vetëm në gjimnaze.”
Po ashtu, psikologia vuri në dukje se është vënë re një rritje e interesit të prindërve, por shton ajo, më shumë ata janë të interesuar për notat sesa për sjelljen e fëmijëve.
E pyetur se cilat mund të jenë shenjat që prindërit mund të dallojnë se fëmijët mund të jenë në gjendje jo të mirë emocionale, Belba tregoi se shenja kryesore është izolimi, mungesa e dëshirës për të shkuar në shkollë apo për t’u marrë me aktivitete etj.
Sa i përket rrjeteve sociale, Ornela Belba sugjeron se një fëmijë në moshën 13 apo 14-vjeçare mund të ketë një llogari të tijën por shton se monitorimi nga prindërit duhet të jetë i vazhdueshëm. /abcnews.al/