Lame: Meta ktheu “Kadastrën”

schedule15:39 - 17 Janar, 2019

schedule 15:39 - 17 Janar, 2019

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame akuzoi se presidentin Meta se nuk ka asnjë argument për kthimin e ligjit të Kadastrës. Lame tha se shumë godina shtetërore, madje as ajo e Presidencës, që drejton Meta, nuk kanë certifikatë pronësie.

“Dje Presidenti i Republikës nuk dekretoi dhe ktheu për rishqyrtim Ligjin “Për Kadastrën”. Z. Ilir Meta sot është President i Republikës. Por godina e Presidencës e ndërtuar në vitin 1959, edhe sot e gjithë ditën nuk ka certifikatë pronësie. Përpara kësaj z. Ilir Meta për 4 vjet ka qenë Kryetar i Kuvendit. Por as Salla ku mblidhet Kuvendi, e ndërtuar që në vitet ’50, nuk ka certifikatë pronësie. Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Ministër i Jashtëm. Por edhe Ministria e Jashtme, e ndërtuar që në vitet ’70, nuk është e rregjistruar dhe nuk ka certifikatë pronësie. Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Kryeministër i Republikës. Por as Godina e Kryeministrisë, e ndërtuar që në kohë të Italisë në vitin 1940, sot e gjithë ditën është e pa certifikatë pronësie. Këto janë vetëm 4 nga pronat e këtij shteti, që ka të regjistruara me certifikatë pronësie vetëm 4% të pronave të veta. Të këtij shteti, që ka ende edhe 600.000 prona private të paregjistruara. Të këtij shteti që, sipas raportit të BB, duhet të ri-masë 80% të pronave të matura në këto 25 vjet, sepse janë matur së prapi. Këto janë punët me të cilat do merret Kadastra, të cilën dje zoti President e ktheu mbrapsht si të rrezikshme. Ligji e thotë qartë: Regjistri i Pronave është në administrim të Ministrisë së Drejtësisë si deri më sot. Ndërsa Agjensia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, në mënyrë që ky t’i tërheqë veshin direkt Drejtorit për mbarëvajtjen e punës së këtij Institucioni, që do të jetë themeli i reformës së pronës.”/abcnews.al