Sezon rekordesh në NBA

schedule13:26 - 17 Janar, 2019

schedule 13:26 - 17 Janar, 2019

Basketbolli amerikan po kalon një sezon të vërtetë rekordesh. Stephen Curry dhe James Harden ishin sërish protagonistë në ndeshjet e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Ishin thyer mjaft deri tani, por duket se do të ketë të tjerë. Ky sezon i NBA-së është me të vërtetë i veçantë, me yjet që po bëjnë garë me njëri-tjetrin, kush e kush të arrijë më shumë rekorde. Stephen Curry dhe James Harden ia kishin dalë gjatë këtyre muajve, dhe e bënë përsëri. Superylli i Golden State tregoi edhe një herë tjetër formën e madhe që po kalon, duke shënuar 41 pikë në fitoren ndaj New Orleans, dhe ndër to, edhe 9 kosha për tri pikë.

Ishte ndeshja e tretë radhazi që ai shënoi 8 apo më shumë tripikësha, diçka që nuk e kishte bërë më parë asnjë lojtar në basketbollin amerikan. Në total, dy skuadrat realizuan 43 gjuajtje nga largësia, edhe ky një rekord i ri i NBA-së.

Për Golden State, fitorja 147-140, ishte e gjashta radhazi, një konfirmim në krye të Konferencës Perëndimore, dhe një afrim me rivalët në Lindje, Miluokin dhe Toronton.Harden, ndërkaq, përmirësoi rekordin e tij të pikëve në një ndeshje këtë sezon, duke realizuar 58 ndaj Bruklinit.

Të mërkurën në mëngjes, me orën e Shqipërisë, ai shënoi 57 pikë ndaj Memfisit, ndërsa tani e përmirësoi veten edhe pak. Kjo do të thotë se kapiteni i Houstonit ka 18 ndeshje radhazi me 30 pikë apo më shumë, duke iu afruar rekordit të Uilti Çembërlenit, me 20 ndeshje të tilla në sezonin 1963-1964.

Megjithatë, paraqitja e shkëlqyer e “Mjekrës” nuk e shpëtoi dot Hjustonin që u mund në fushën e vet nga Bruklini, 145-142 pas kohës shtesë. Skuadra nga Teksani, një nga pretendentet e mëdha për titull, po vuan mungesën e tre prej yjeve kryesorë, që janë të dëmtuar./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!